Ja pse u arrit dakortësimi mbi targat – Shqip

by admin
Spread the love

Kryeministri Kurti sqaroi atë që e quajti dakortësi por jo marrëveshje, në lidhje me targat, gjë që bëri të qetësohet Brukseli dhe Uashingtoni.

Kurti theksoi se dokumenti i mbrëmshëm dallon me atë se çfarë i është ofruar të hënën atij në Bruksel. Në fjalimin e tij në seancë plenare, ka deklaruar se ka ndryshuar deklarata e Borrell-it e jo qëndrimet e Kosovës. Sipas tij, marrëveshja për targat është e vlefshme deri në përfundimin e negocimit të dokumentit franko-gjerman.

“Nuk është marrëveshje, është një dakordim, por nuk është marrëveshje. A e dini pse nuk është marrëveshje? Shikoni se çfarë thotë në titull, është deklaratë e Borrell-it. Ajo çfarë është bërë mbrëmë, është ndryshuar deklarata e Borrell-it. Ne nuk kemi ndryshuar qëndrim, Borreli ka ndryshuar deklaratë. Dhe kjo është shumë mirë. Marrëveshja e mbrëmshme, nuk është marrëveshje për targat. Ne u morëm vesh që të ndalojmë veprimet në mënyrë reciproke, pra nuk do të bëjmë gjobitje për targat KM dhe do t’i japim hapësirë negocimit të propozimit evropian që më herët quhej franko-gjerman”, ka theksuar ai.

Kurti vijoi më tej duke thënë se “qëllimi ynë ishte që propozimi franko-gjerman për normalizim përmes një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërkombëtare të bëhet çështja e bisedimeve në Bruksel, drejt arritjes së një dakordimi, i cili shtetit tonë që është normal e demokrat ia bashkëngjit edhe një raport normal e evropian me Serbinë. Ishte e qartë nga vet deklarata e zëvendëspresidentit të Komisionit Evropian dhe përfaqësuesit të lartë për siguri dhe politikë të jashtme, Borrell që një gjë e tillë nuk ishte përfshirë në diskutimet e ditës së hënë. Tash ajo figuron saktësisht dhe me një status të qartë në paragrafin e parë. Nuk ka qenë në ditën e hënë në tekstin, i cili më është ofruar mua në fund”, arsyetoi shefi i qeverisë së Kosovës.

Kurti shtoi se ajo që u arrit mbrëmë është arritje e madhe për Kosovën.

“Besoj që kjo është një arritje e madhe, sepse për herë të parë procesi i dialogut hyn në një fazë të negocimit mbi kornizën e përgjithshme që do të jetë ligjërisht e obligueshme e që do të zgjidh problemet fundamentale nga prizmi i së drejtës ndërkombëtare”. /tesheshi.com/

You may also like