ITALI – Ministrat e Drejtësisë të G7-s diskutojnë luftën kundër korrupsionit në Ukrainë

by admin
Spread the love

VENECIA, 9 maj /ATSH-DPA/ – Ministrat e Drejtësisë të vendeve të G7-s diskutuan sot në Venecia luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Ukrainë.

Sipas mikpritësve italianë, takimi dyditor ka të bëjë me forcimin e institucioneve demokratike të Ukrainës dhe parandalimin e çdo forme të përdorimit të paligjshëm të parave të destinuara për rindërtimin e Ukrainës.

G7 është një grup i kombeve kryesore demokratike të industrializuara, duke përfshirë Gjermaninë, Italinë, Francën, Britaninë, Japoninë, Kanadanë dhe SHBA-në.

”Çështja e korrupsionit është një problem për Ukrainën”, tha ministri gjerman i Drejtësisë, Marco Buschmann për DPA.

Buschmann tha se paratë që depërtojnë në korrupsion në vend që të shpenzohen për pajisjen e ushtarëve ukrainas e dobësojnë vendin në mbrojtjen e tij kundër agresionit rus.

“Nëse Ukraina dëshiron të marrë rrugën drejt anëtarësimit në BE, ajo duhet të luftojë nivelin e lartë të korrupsionit”, tha Buschmann.

Buschmann tha se rindërtimi i Ukrainës pas rivendosjes së paqes në vend nuk do të kishte sukses pa ndihmën e huaj. Megjithatë, ai tha se vendet e mundshme donatore do të ishin më pak të gatshme për të ndihmuar nëse pjesë të mëdha të ndihmës do të depërtonin në korrupsion.

Sipas Buschmann, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte i vetëdijshëm për këtë problem dhe e kishte bërë luftën kundër korrupsionit në fokus të punës së tij.

“Ne duam ta mbështesim atë”, shtoi Buschmann.

Ndërkohë që prej disa kohësh ministrat e Jashtëm të vendeve të G7-s takohen rregullisht, mbledhja e ministrave të Drejtësisë është relativisht e re.

Takimi i parë u mbajt në nëntor 2022 me iniciativën e Buschmann.

Një takim i dytë pasoi në korrik 2023.

Një delegacion ukrainas ishte i pranishëm në Venecia për pikat e rendit të ditës në lidhje me Ukrainën./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like