Izraeli godet me predha zjarr-ndezëse pyjet në jugun e Libanit

by admin
Spread the love

Tymi ngrihej sot nga predhat ndezëse të artilerisë izraelite që godiste në periferi të fshatit libanez të Khiam. Zona kufitare mes dy vendeve ka parë goditje të shpeshta artilerie nga ushtria dhe lëshime raketash si kundërpërgjigje nga militantë të grupit Hezbollah, shkruan rrjeti AFP.

Goditjet në jug të Libanit nga Izraeli vijnë paralelisht me fushatën e bombardimeve mizore në Gaza kundër Hamas, ku deri tani rreth 15 000 palestinezë kanë humbur jetën, një pjesë e konsiderueshme të mitur.

Bombat ndezëse që përdoreshin sot dhe më herët nga Izraeli kanë si qëllim të djegin pyjet pranë linjës së kufirit, sipas raprotimeve për të mos lejuar fshehjen apo infiltrimin e militantëve.

Që prej nisjes së konfliktit më 7 tetor më shumë se 1000 njerëz raportohet se janë vrarë në Liban.

Mediat libaneze thanë se predhat e sotme vranë tre njerëz në Liban , një ditë pas përfundimit të armëpushimit mes Izraelit dhe grupit Hamas.

Ushtria izraelite tha se sulmet e saj po godasin pika zjarri në Liban pasi ishin interceptuar dy raketa.

Mediat libaneze thanë se dy njerëz u vranë sot në fshatin kufitar Houla dhe një person humbi jetën në fshatin Xhebain.

Ndërkohë në Gaza vijon katastrofa e të mbijetuarve që vuajnë për ushqim, ujë e mjekime prej bllokadës dhe rinisjes se bombardimeve izraelite.