Izraeli cakton muajin Mars për të nisur sulmin në Rafah – Shqip

by admin
Spread the love

Qeveria izraelite ka bërë thirrje që nëse Hamasi nuk liron pengjet me fillimin e Ramazanit, atëherë do të nisë ofensivën tokësore

Qeveria izraelite për herë të parë ka dhënë një afat se kur do të nisë ofensivën tokësore të Rafahut duke përcaktuar 10 marsin si datën më të afërt. Anëtari i kabinetit të luftës izraelite Benny Gantz ka paralajmëruar se nëse Hamasi nuk liron të gjithë pengjet e mbajtur në Gaza do të nisë pushtimin në Rafah. “Bota duhet ta dijë, dhe udhëheqësit e Hamasit duhet ta dinë – nëse deri në Ramazan pengjet tanë nuk janë në shtëpi, luftimet do të vazhdojnë kudo, përfshirë zonën e Rafahut”, u shpreh Gantz.

Gantz shtoi se Izraeli do të veprojë në mënyrë të koordinuar, duke lehtësuar evakuimin e civilëve në dialog me partnerët tanë amerikanë dhe egjiptianë për të minimizuar viktimat civile. Mediat shkruajnë se Izraeli pret që disa palestinezë të kalojnë nga Rripi i Gazës dhe të kërkojnë strehim në anën egjiptiane të kufirit, ku autoritetet po ndërtojnë një rrethim të madh me mure për këtë qëllim.

Por zyrtarët izraelitë nuk kanë dhënë ende ndonjë detaj për një plan evakuimi. Me saktësisht tre javë para fillimit të Ramazanit, thuhet se në Rafah njerëzit po largohen, duke u nisur drejt perëndimit, por shumica janë ende duke pritur, të pasigurt se çfarë të bëjnë. Pavarësisht presionit ndërkombëtar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu është zotuar të nisë sulmin tokësor për të eliminuar katër bastionet e fundit të Hamasit.

Egjipti dhe disa vende të tjera arabe kanë paralajmëruar vazhdimisht se një ofensivë izraelite në Rafah do të rrezikonte të shtynte shumë palestinezë në Egjipt – gjë që ata e konsiderojnë të papranueshme. Arabia Saudite ka deklaruar për “pasoja shumë serioze” nëse Rafah sulmohet.

Pjesa më e madhe e Gazës është kthyer në gërmadhë nga Izraeli. Luftimet vazhdojnë në qytetin jugor të Khan Younis, me përleshje që shpërthejnë në zonat veriore që supozohet se janë pastruar. Më shumë se 85% e 2.3 milionë banorëve të Gazës kanë mbetur të pastrehë. Shumica e të zhvendosurve kanë kërkuar strehim në Rafah, e cila kishte një popullsi të paraluftës prej rreth 300,000.

Spitalet kanë dalë jashtë funksionit përfshirë edhe spitalin Nasser më të madhin në Gazë. Operacionet kanë ndalur dhe njerëzit e plagosur nuk marrin prej ditësh trajtimet e duhura mes bombardimeve të shumta dhe mungesës së furnizimeve.

Zyrtarët e lartë amerikanë e shohin sigurimin e një marrëveshjeje për lirimin e pengjeve të mbetura në këmbim të një pauze të zgjatur në konflikt si rrugën më të mirë për krijimin e hapësirës për bisedime më të gjera. Megjithatë, ata janë të shqetësuar se një marrëveshje e tillë mund të mos realizohet në javët e ardhshme dhe lufta do të vazhdojë në muajin e shenjtë të Ramazanit në mars dhe prill, gjë që mund të intensifikojë kritikat globale ndaj fushatës së Izraelit. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund konfliktit duket e largët.

Klan News

You may also like