Ish-kryediplomatët mirëpresin aplikimin e Kosovës në Këshillin e Evropës

by admin
Spread the love

Kosova ka dorëzuar zyrtarisht këtë të enjte aplikacionin për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ky hap i Kosovës për t’u bërë pjesë e kësaj organizate ndërkombëtare është mirëpritur nga ish-kryediplomatët e vendit, Enver Hoxhaj, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Skender Hyseni.

Ata për Klankosova.tv treguan edhe përfitimet që mund t’i marrë Kosova pas anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

Ish-ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, për Klankosova.tv thotë se përjashtimi i Rusisë nga vetë Këshilli i Evropës dhe izolimin ndërkombëtar i Serbisë do të rezultojnë me anëtarësim të plotë të Kosovës në këtë organizatë.

“Këshilli i Evropës është organizata më e rëndësishme në kontinentin tonë, pas NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Nuk ka pasur asnjëherë rrethanë më të përshtatshme për aplikimin dhe anëtarësim sesa tani, meqë ajo është duke u udhëhequr nga shtete njohëse dhe mbështetëse të Kosovës”.

“Rënia strategjike e Rusisë pas humbjeve në Ukrainë, përjashtimi i Rusisë nga vetë Këshilli i Evropës dhe izolimin ndërkombëtar i Serbisë do të rezultojnë me anëtarësim të plotë, nëse aplikimi është profesional e kredibil dhe ka koordimin të plotë me partnerët gjermanë, francezë dhe evropianë të tjerë.

Hoxhaj, mes tjerash, ka edhe arsye specifike se pse e mbështet shumë aplikimin për anëtarësim teksa thotë se përftimet e Kosovës dhe qytetarëve janë të mëdha.

“Kosova i plotëson të gjitha kriteret politike, procedurale dhe institucionale për tu bërë anëtare dhe duhet lobim sa me qeveritë evropiane dhe po aq me deputetë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës”.

“Përfitimi është sa për shtetin e Kosovës në zgjerimin e sovranitetit dhe gjithashtu edhe për vetë qytetarët, të cilët në të ardhmen mund të sjellë shumë çështje të tyre pranë Gjykatës në Strasburg. Sa kam qenë Ministër i Jashtëm jemi anëtarësuar në Komisionin e Venecias dhe në Bankën Zhvillimore të Këshillit të Evropës dhe sot e mbështesë shumë këtë aplikim”, tha Hoxhaj.

Ish-shefja e diplomacisë kosovare, Meliza Haradinaj-Stublla, vlerëson se ky aplikim është ngjarje vërtetë historike.

“Dorëzimi i kërkesës për anëtarësim në Këshill të Evropës sot është ngjarje vërtetë historike, ku pas një kohe kaq të gjatë Kosova hedh hapin e parë për t’u anëtarësuar në një organizatë të rëndësishme, dhe për të thelluar subjektivitetin e saj ndërkombëtar”.

“Me siguri institucionet kanë bërë konsultat dhe koordinimet e nevojshme para së gjithash me aleatin tonë strategjik ShBA-në, të cilat para disa muajsh kërkuan që të respektohet moratorium i Zotimeve të Washingtonit, e pastaj edhe me aleatët tjerë evropianë e anëtarët e KE-së, në mënyrë që të evitohen shpërputhjet dhe situatat e keqkuptimit me miqtë tonë që na kanë mbështetur vazhdimisht”.

“Për më shumë, është fantastike që Kosova ka qenë e zonja të navigojë saktë nëpër momentumin e favorshëm të krijuar me realitetin e ri gjeopolitik pas veprimeve gjenocidale të Rusisë kundër Ukrainës, ashtu siç po e shfrytëzojnë edhe shtetet e fuqishme si Suedia e Finlanda me veprimet e tyre drejt anëtarësimit në NATO”, tha Haradinaj-Stublla.

Haradinaj-Stublla vlerëson se Kosova nuk duhet të ndalet me kaq dhe të mos shqetësohet për kërcënimet siç i quan ajo qesharake të Serbisë, njofton Klankosova.tv.

“Kosova nuk duhet të ndalet me kaq tani, por të mobilizojë gjithë potencialin diplomatik e politik në funksion të avancimit tonë shtetëror në shoqërinë ndërkombëtare, e të mos shqetësohet fare për “kërcënimet qesharake” të Serbisë, e cila tanimë është në një pozitë të diskredituar ndërkombëtare pas rreshtimit politik pro Rusisë”, tha ajo.

Pos rëndësisë dhe përfitimeve të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ish-kryediplomati Skender Hyseni thotë se kjo ka rëndësi edhe për pavarësinë e Kosovës.

“Aplikimi dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është shumë i rëndësishëm dhe i mirëseardhur. Përfitimet e Kosovës nga anëtarësimi në Këshillin e Evropës janë të shumta dhe kontribuojnë shumë në pavarësinë e saj që të jetë e barabartë me shtetet tjera anëtare”, tha Skender Hyseni.

Vendimi u mor në mbledhjen e 77-të të Qeverisë së Kosovës që u mbajt këtë të enjte.

“Këshilli i Evropës është organizata më e vjetër ndërqeveritare në Evropë që për qëllim kryesor ka sigurimin e bashkëpunimit dhe unitetit ndërmjet anëtarëve të saj në lëmin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit. Të drejtat e njeriut dhe liritë elementare janë të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, e cila ka ngërthyer në vete edhe konventat e Këshillit të Evropës, duke përfshirë Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut dhe Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Elementare dhe Protokollet e saj”.

“Vendimi i miratuar sot obligon Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe të Diasporës që të zhvillojë të gjitha procedurat për anëtarësim në bazë të legjislacionit në fuqi”, thuhet në njoftim e Qeverisë.

Çka është Këshilli i Evropës, ku Kosova synon të aplikojë sot?

You may also like