Irani njofton pjesëmarrje 41% në zgjedhjet parlamentare (fotot)

by admin
Spread the love

Irani njoftoi sot se pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare të javës së kaluar për parlamentin e vendit dhe një trup të lartë të klerit, ishte 41 përqind, nga më të ulëtat në republikën islamike që prej vitit 1979.

Konservatorët në pushtet siguruan shumicën e vendeve në zgjedhjet e të premtes për legjislaturën kombëtare dhe për Asemblenë e Ekspertëve, që është organi që zgjedh liderin suprem të Iranit.

“Rreth 25 milionë njerëz morën pjesë, në një pjesëmarrje prej 41 përqind,” tha ministri i brendshëm Ahmad Vahidi në një konferencë shtypi në Teheran.

Zgjedhjet shoqëroheshin me një proces të ashpër vetting-u që kishte përjashtuar shumë kandidatë të merrnin pjesë, shkruan rrjeti AFP.

Vahidi tha se vota u realizua megjithë “urrejtjen e dashakeqëve, si agjentët e huaj apo grupet  terrorist që tentojnë të prishin sigurinë”.

Nga 290 vende në Parlament, 45 do të ndahen me një raund të dytë votimi në prill ose maj, duke përfshirë dhe gjysmën e deputetëve të kryeqytetit Teheran, tha zëdhënësi Mohsen Eslami.

Vota vjen pas protestave kombëtare pas vdekjes në stacionin e policisë të 22 vjeçares  Mahsa Amini, që raportohet se ishte arrestuar për shkelje të kodit të veshjes së grave në Iran.

Ai shtoi se ishin zgjedhur të gjithë 88-anëtarët e Asemblesë së Ekspertëve.