IRAN – Qindra artistë kërkojnë hetime për helmimin e nxënëseve dhe studenteve

by admin
Spread the love

TEHERAN, 5 mars /ATSH-DPA/ – Qindra artistë iranianë kanë nënshkruar një peticion duke bërë thirrje për të hetuar një valë helmimesh midis nxënëseve dhe studenteve gjatë tre muajve të fundit, sipas gazetës ”Shargh”.

”Rreth 500 artistë të shquar kanë nënshkruar thirrjen”, tha gazeta.

Në përgjigje të helmimeve, të cilat kanë rezultuar në shtrimin e vajzave në spital, prindërit zhvilluan demonstrata dhe kërkuan një shpjegim mes zemërimit në rritje ndaj udhëheqjes së vendit.

“Sulmet masive të qëllimshme ndaj shkollave të vajzave në vend janë një katastrofë e re që synon asgjë më shumë se nxitjen e terrorit dhe rritjen e kostove për të drejtat natyrore të vajzave në shoqëri”, thuhet në peticion.

“Ne e dënojmë këtë tragjedi dhe bëjmë thirrje që autorët të arrestohen dhe të ndëshkohen”, shtoi ai.

Raste të reja të helmimit u raportuan sot, pas raporteve të ngjashme gjatë ditëve të fundit.

Një konvikt nxënësesh në Urmia, në veriperëndim, dhe një shkollë fillore në qytetin verior të Tabrizit ishin ndër objektet e prekura.

Qeveria dhe lidershipi klerik i vendit janë nën presion nga protestat masive që shpërthyen në shtator pas vdekjes në paraburgim të një gruaje të re të arrestuar nga policia morale për mbajtjen e gabuar të hixhabit.

Rastet e para të helmimit u raportuan në fund të nëntorit, kur protestat ishin në shtim e sipër.

Të prekurat raportojnë simptoma duke përfshirë marramendje, të vjella dhe vështirësi në frymëmarrje./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like