Intervista me Ilir Shulkun: Bashkëpunimi me Oversport shumë i frytshëm, i kemi dhënë publikut atë çka duan

by admin
Spread the love

Nga bashkëpunimi me Oversport te gara në “Abissnet Superiore” dhe Kategorinë e parë, paraqitja e Kombëtares dhe e ardhmja e trajnerit Edy Reja. Ilir Shulku, sekretari i përgjithshëm i FSHF, flet në një intervistë ekskluzive me Alban Xhihanin, drejtorin e Oversport.

Atëherë Shulku, jemi në muajt e parë të fillimit të këtij sezoni të ri. Do të doja të bëja një intervistë konstruktive rreth këtij sezoni që ka nisur. Ta nisim me përfundimin e fazës së parë të “Abissnet Superiore”, si ka shkuar mbarëvajtja e kampionatit deri tani sipas jush?  

Siç e thatë edhe ju, është bërë faza e parë e kampionatit, mendoj që deri tani janë disa javë shumë të mira. Dihet që rivalitet ka, por në këndvështrimin tim më bënë përshtypje që të gjitha ekipet e quajtura të nivelit të mesëm dhe më poshtë kanë qenë shumë konkurruese dhe luftarake. Këtë gjë e tregojnë edhe pikët që kanë marrë. Nuk ka pasur diferenca të mëdhaja midis ekipeve të para dhe të fundit. Është një kampionat që ka treguar goxha garë si lart ashtu edhe poshtë. Kjo gjë e bën shumë të bukur dhe mendoj se edhe vazhdimësia do të jetë akoma edhe më e bukur.”

Shikon një garë dyshe midis Tiranës dhe Partizanit deri në fundin e kampionatit?

Me çfarë kanë treguar deri tani mendoj se po, pasi siç dihet si Tirana dhe Partizani janë rivale për titull dhe objektivat e tyre janë fitimi i trofeve. Për momentin mendoj se janë një hap më para se të tjerët çka e kanë treguar si me rezultate ashtu edhe me lojë. Nuk do të bëja paralelizëm për të treguar se kush janë rivalët pasi është ende herrët. Ekipet do të përforcohen rrugës, kanë merkaton e janarit përpara që mund të përforcojnë repartet ku kanë mangësira. E rëndësishme është që këto dy ekipe që janë shumë të rëndësishme për kampionatin shqiptar, janë rival dhe rivaliteti i tyre e bën akoma edhe më të bukur kampionatin.

Surprizat e bukura të këtij sezoni, Erzeni, Egnatia, Bylis, e bëjnë këtë të jetë një nga kampionatet më të fortë me aq sa është treguar deri tani.

Mendoj se po. Nuk do ta quaja surprizë Bylisin dhe Egnatian pasi, Bylisi vitet e fundit ka treguar se një vit ka rënë e një vit është ngjitur, por ka treguar se deri në javët e fundit ka konkurruar denjësisht. Egnatia tregoi se është një ekip që është përballur me të gjitha ekipet si jashtë edhe brenda në mënyrë dinjitoze, Kastrioti gjithashtu. Në këtë fazë të kampionatit ku jemi surprizë do të quaja Erzenin i cili ka zhvilluar ndeshje mjaft të mira. Sidomos pesë javët e para që nuk pësoi asnjë gol, duke marrë edhe rezultate pozitive dhe fitore me ekipe shumë të forta. Kështu që mendoj se kjo katërshe ekipesh i ka dhënë një bukuri më të madhe kampionatit dhe e ka bërë garën më të fortë.

Një lojtar që të ka bërë përshtypje, ose dy, tre…

Dy lojtarë më kanë bërë përshtypje. Do të thosha Xhixha i Tiranës, i cili ndeshjet e fundit ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ekipin e Tiranës dhe Skuka i Partizanit që në të njëjtin kontekst do të thosha se kanë qenë thelbësor për ekipin e tyre si në rezultat edhe në mbarëvajtjen e lojës duke e tërhequr ekipin para dhe duke shënuar gola.

Arbitrimi, si ka qenë ecuria e xhaketave të zeza në vlerësimin tuaj deri tani?

Mendoj se ka qenë shumë pozitive. Arbitrimi siç dihet, në çdo vend të botës ku luhet futboll ka kontestime, por në këto dy vite sistemi VAR ka shmangur shumë polemika dhe shumë momente të dyshimta që ndodhnin gjatë ndeshjes së futbollit. Në përgjithësi, mendoj se ka qenë një arbitrim korrekt dhe renditja e ekipeve në tabelën e klasifikimit është me atë çka ekipet kanë dhënë në fushën e lojës. Nuk mendoj se ka qenë ndikues në asnjë ndeshje deri më tani.

Ju përmendi VAR-in që ka qenë një investim shumë i rëndësishëm i FSHF-së dhe besoj se edhe në analizën tuaj është diçka që mbetet.

Mendoj që po. Është një investim i cili ja vlen pasi të gjithë klubet dhe njerëzit që merren me futboll shpenzojnë para për të pasur një verdikt të drejtë dhe mund të themi që VAR e ka fuqizuar edhe më shumë drejtësinë në futboll, kështu që në momentet kur ka dyshime për një vendimarrje, sistemi VAR ka qenë shumë i rëndësishëm që ekipet të marrin në fushën e lojës atë që kanë merituar. Mendoj se është një investim që ja vlen dhe do të jetë i vazhdueshëm gjithmonë në mënyrë që klubet të marrin atë që meritojnë.

Kategoria e Parë, si është shfaqur niveli i skuadrave dhe sa konkurruese është skema e përdorur aktualisht që do të ndryshojë sezonin tjetër për ta bërë edhe më kompetitive?

Mendoj se është një kampiont i rëndësishëm dhe i fortë pasi janë disa skuadra që rivalizojnë për t’u ngjitur në Kategorinë Superiore. Vjet kemi pasur një skemë tjetër. Sivjet është me 14 skuadra. Një gjë e rëndësishme në sezonin aktual është zhvillimi i ndeshjeve në orare të ndryshme, pothuajse jemi përshtatur pak a shumë, së bashku me Oversportin me sistemin italian. Kemi pasur ndeshje me shikueshmëri të mirë dhe me nivel shumë të mirë. Kemi disa skuadra me emër në futbollin shqiptar, ndoshta mund të harroja ndonjë, por skuadra si Dinamo, Skënderbeu, Flamurtari, Korabi i cili ka qenë konkurrues gjithë këto vitet e fundit, Apolonia, Lushnja e të tjera me rradhë të cilat kanë peshë në futbollin shqiptar dhe po konkurrojnë për t’u ngjitur në superiore. Mendoj se kushdo që do të ngjitet nga këto skuadra do t’i rrisë cilësinë Kategorisë Superiore.

Një problematik që kanë klubet shqiptare dhe që ka ende vend për përmirësim. Cila mund të jetë?

Sivjet një nga problematikat që na doli është kompletimi i stafeve të të gjitha ekipeve në të gjitha nivelet, jo vetëm të Kategorisë Superiore, pasi është kërkuar dhe kërkohet vazhdimisht nga sektori i Licensimit që stafet të jenë të plotësuara me të gjithë elementët brenda dhe një nga elementët më të rëndësishëm që ne i kemi dhënë shumë rëndësi edhe në kualifikime tashmë është sektori i mjekësisë. Megjithatë, na ndodhi një incident në javën e parë të kampionatit që na dha një indicie se ne duhet të jemi më kërkues ndaj klubeve dhe klubet ndaj vetes. Ishte një ngërç dhe një pikë tjetër mendoj se është edhe në momente të veçanta, por kjo është personale që po e them, është pranimi i rezultatit. Kemi treguar tashmë se të gjitha ekipet mund të fitojnë si brenda dhe jashtë. Ekipet e mesit kanë fituar edhe jashtë, por duhet të pranohen edhe humbjet brenda, pasi i keni parë disa vendime të komisionit të disiplinës për sjellje jo korrekte të tifozëve në tribuna, hedhje të sendeve në fushën e lojës. Kështu duhet të edukohemi si stafe ashtu edhe tifozët që rezultati është verdikit i fushës dhe duhet ta pranojmë në çdo lloj forme.

A vazhdoni të jeni pro dënimit kolektiv, apo kapjes së individëve të caktuar? Marr shkas nga rasti në Kukës, në Kukësi-Partizani ku dy persona u evidentuan nga kamerat. Nuk ka pse të digjet i gjithë stadiumi kur dihet botërisht se kush është agresori.

Pyetje shumë e saktë, por për të qenë realist, kjo ka një ngërç. Kemi pasur probleme edhe vitet e kaluara me grupime tifozësh të cilët kanë hedhur sende dhe kanë bërë veprime të pahijshme në stadium. Janë pezulluar nga komisioni i Disiplinës, janë ndaluar edhe nga Policia e Shtetit, por ashtu siç thash më herët edhe infrastruktura shpeshherë çalon në disa stadiume dhe në akord me forcat e Policisë dhe me Securityn private që kanë klubet, është bërë e mundur që tifozët që kanë qenë të pezulluar të futen sërish në stadiume. Kemi pasur dhe raste me ekipin Kombëtar, pasi ju e patë edhe dënimin që na erdhi në sfidën e fundit ndaj Islandës, një dënim shumë i rëndë për ne. Për këtë jemi të gjithë fajtorë duke filluar nga Policia e Shtetit, nga Security, nga ndërgjegjësimi i tifozëve sepse është një gjobë që ndikon në buxhetin e Federatës.

Si po shkon bashkëpunimi FSHF-Oversport, për transmetimin e ndeshjeve. Kemi kampionatin, Kupën do të kemi edhe Superkupën.

Mendoj se ka qenë një bashkëpunim shumë i mirë, shumë i frytshëm. I kemi dhënë publikut atë çka duhet. Cilësinë e ndeshjeve të futbollit, në kohë të ndryshme, në orare të ndryshme. Jemi përshtatur çdo lloj tifozi që të marrin atë që meritojnë në fund të fundit dhe bashkëpunimi ka qenë shumë i mirë, që përpos bashkëpunimit privat Iliri-Albani që e kemi shumë të mirë edhe zyrtarisht ka qenë një bashkëpunim perfekt.

Edhe ne kemi qenë shumë të kënaqur me bashkëpunimin me FSHF dhe do të bëjmë maksimumin për ta rritur. Futbolli i Femrave, kemi Vllazninë që luan në grupet e ëndrrave në Championsin e femrave.

Futbolli i femrave, ju e dini tashmë që ka qenë një nga prioritetet e viteve të fundit në strategjinë e FSHF, një nga pikat që FSHF ka investuar shumë dhe do të vazhdojë të investojë. I kemi subvencionuar të gjitha ekipet të femrave në të gjitha aspektet edhe nga ana financiare, e pagave dhe e materialeve. Ka dhënë edhe ajo frytet e veta. Ekipi i Vllaznisë së Femrave është qershia mbi tortë, pasi çdo vit ka kaluar ture dhe kjo e tanishmja është surprizë dhe mendoj se Vllaznia i ka kapacitetet e duhura për t’u përballur në mënyrë të denjë dhe është një imazh shumë i mirë për futbollin në përgjithësi dhe i femrave në veçanti.

Flasim pak për Kombëtaren pasi është ajka. Të gjithë duam të përfaqësohemi sa më mirë. Si ka qenë ky edicion i fundit?

Ndoshta në opinion dhe në klasifikim nuk ishte ajo që pritej, por kemi zhvilluar ndeshje të mira, pavarësisht se nuk e arritëm objektivin. Në futboll ka të bëjë edhe fati që ndonjëherë për dy minuta të çon lart e ndonjëherë poshtë. Kemi humbur në minutën e fundit në Izrael, kemi humbur në minutën e fundit në Shqipëri. Këto dy minuta bënë këtë diferencën e madhe që patëm dhe një lloj zhgënjimi nga ana e tifozëve, por futbolli është i tillë dhe ka ekipe shumë më të mëdhaja se Shqipëria që nuk janë kualifikuar ose kaluar grupet. Ne kemi treguar se dimë të luajmë shumë mirë futboll, kemi një ekip shumë të mirë, kemi individë shumë të mirë që po luajnë në ekipe të mira dhe janë thelbësorë. Çka na jep shpresë që ky ekip do të ketë rezultate shumë pozitive në vazhdim.

Trajneri Reja është në fundin e kontratës së tij. Çfarë plane ka FSHF për trajnerin e ri të Kombëtares.

Nuk kemi ende një plan konkret. Trajneri është nën kontratë, vazhdon kontratën deri në nëntor. Me mbarimin e kontratës do të shihet rinegociomi i kontratës ose jo, për të parë edhe për ndonjë opsion tjetër. Megjithatë, deri tani deri sa të mbarojë kontratën nuk kemi bërë asnjë bisedë tjetër.

Ju do të ishit pro një trajneri të huaj apo shqiptar?

Unë do të isha për të dy. Edhe për një trajner të huaj pasi me trajner të huaj kemi treguar se mund të arrijmë rezultate dhe ndeshje shumë pozitive. Por pse jo edhe me trajner shqiptarë. Kemi trajnerë të aftë shqiptarë që mund ta drejtojnë ekipin kombëtar, por për momentin që po flasim jemi ende në kontratë me trajnerin Reja dhe në përfundim të kontratës mund të jetë opsion edhe trajneri shqiptar.

A kanë merituar edhe më herët lojtarët e kampionatit shqiptar të jenë pjesë e Kombëtares? Sepse shohim që pritet të shkojnë nga momenti në moment diku jashtë, e më pas të thërriten në kombëtare?

Kjo ka qenë në fakt e përhershme, por mendoj se ka lojtarë të kampionatit shqiptar që mund të jenë pjesë e Kombëtares, por kjo mbetet gjithmonë në atë verdiktin e trajnerit dhe opsionet që ka trajneri. Gjendjen e lojtarëve që trajneri grumbullon, në repartet që ai ka mangësira, që mund t’i plotësojë me lojtarë të kampionatit shqiptar. Po ta vë veten në rolin e trajnerit, trajneri është i predispozuar të marrë në grumbullim, lojtarët që janë më në gjendje dhe që aktivizohen duke ndërthurur edhe eksperiencën që ata kanë me ekipin. Mendoj se ka pasur lojtarë të kampionatit shqiptar në ekipin kombëtar, mund të jenë edhe më shumë, por trajneri përpiqet të marrë rezultatin më të mirë të mundshëm dhe e shoh si një opsion patjetër.

Shorti për Gjermani 2024. Kush do të jetë objektivi i Kombëtares që do të jetë edhe kusht për trajnerin cilido që do të jetë ai?

Kushti do të jetë që ne të kualifikohemi. Na ra një short i mirë, pasi mund të binte edhe më i vështirë. Ekipet që na ranë janë pothuajse të nivelit tonë, kështu që kemi mundësi të konkurrojmë dhe të fitojmë me të gjitha ekipet, por siç kemi mundësi që t’i humbasim të gjitha ndeshjet pasi kështu është futbolli. Atë që them me bindje është që individët që kemi në grup dhe mosha e re e ekipit na bën optimistë se këta individë dhe ky grup do të na çojnë përpara dhe objektivi patjetër që është dalja në grup.

Një sugjerim që do t’i jepje djemve të Kombëtares, ndoshta edhe miqësor?

Jo ndoshta edhe jo miqësor. Do t’i jepja edhe pak më shumë se jo miqësor. Në kohën kur luanim ne një pikë e rëndësishme ka qenë edhe grupi, jo vetëm në stërvitje dhe në fushë, por edhe jashtë. Ne e kemi pasur shumë të theksuar këtë frymën e bashkëpunimit dhe afrimitetin me njëri-tjetrin duke ndejtur dhe qarë hallet bashkë. Ndërsa mendoj se tashmë për shumë arsye kjo është ftohur bashkë, por nëse këta do të bashkëpunojmë shumë edhe jashtë, patjetër që cilësia në fushën e lojës do të jetë shumë më e mirë.

A ka një Shulk të rri në futbollin e ditëve të sotme dhe kush është?

Kam djalin që merret me futboll, e ka shumë pasion. Unë ndoshta nuk kam kohën që ta ndjek shumë, sepse jam shumë i angazhuar, por ai e ka shumë pasion. E ka vetë në dorë, punon shumë, duhet të punojë edhe më shumë për të arritur aty ku dëshiron të jetë.

Fanellën do t’ia zgjedhësh ti?

Ka marrë numrin 25 aty ku luan, unë kam luajtur me fanellën 5. Nuk jam tip që dua të ndikohet nga mua, dëshiroj të eci në opsionet e veta dhe në idetë e veta. /oversport.tv

You may also like