Interi mposht Cremonesen dhe i dërgon sinjal Milanit para derbit, Dybala shkëlqen në fitoren e Romës

by admin
Spread the love

Interi rikthehet te fitorja në Serie A pasi ka mposhtur në javën e katërt Cremonesen me rezultatin 3-1. Në “Giuseppe Meazza” të besuarit e Simone Inzaghit arritën të fitonin lehtësisht falë golave të Correa, Barella e Lautaro Martinez.

Ndeshja kontrollohet mirë nga zikaltrit që në minutën e 12-të gjejnë edhe golin e avantazhit me anë të argjentinasit Joaquin Correa. Ky i fundit shfrytëzon një top të lënë në zonë dhe me portën e boshatisur çon topin në rrjetë.

Interi dyfishon gjithçka pak minuta më vonë, këtë herë me Nicolo Barellën i cili realizon një supergol nga limitet e zonës. Calhanoglu harkon për italianin që me një goditje futurimthi e çon rezultatin në 2-0.

Në pjesën e dytë, është Lautaro Martinez ai që shënon edhe golin e qetësisë për Interin pas një kundërsulmi të shpejtë. Rezultati final i takimit vuloset nga Okereke që shënon një gol mjaft të bukur duke lënë të palëvizur portierin Handanovic. Me këtë fitore Interi ngjitet në kuotën e 9 pikë pas katër javësh.

Fitore bindëse ka arritur edhe Roma në sfidën tjetër të kësaj mbrëmjeje përballë Monzës. Ekipi i Mourinhos zhvilloi një ndeshje në limitet e perfektes duke mos triumfuar në fund me rezultatin 3-0.

Mjaftojnë 18 minuta lojë për Romën që të gjejë golin e parë të këtij takimi me Paulo Dybalën. Ylli argjentinas realizon kështu golin e parë me fanellën verdhekuqe. Pak minuta më vonë do të ishte sërish Dybala që do të dyfishonte shifrat dhe do të realizonte një dygolësh personal.

Edhe në pjesën e dytë, është Roma që kontrollon lojën dhe shënon golin e tretë. Këtë herë është Roger Ibanez që me kokë mposht portierin kundërshtar dhe i vulos shifrat në 3-0. Pas katër javësh Roma merr kreun e Serie A me 10 pikë, por është në pritje edhe të sfidave të tjera. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter

You may also like