SHBA – Pistorius: Gjermania e gatshme të marrë më shumë përgjegjësi në NATO

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 9 maj /ATSH-DPA/ – Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius u përpoq të siguronte SAHB, aleatin më të rëndësishëm të Gjermanisë në NATO, se Berlini është i gatshëm të marrë më shumë përgjegjësi ushtarake për sigurinë në Evropë dhe në botë.

Në të njëjtën kohë, Pistorius i bëri thirrje qeverisë amerikane të mos heqë dorë nga angazhimi i përbashkët në Evropë.

“Ne të dy do të vazhdojmë të punojmë ngushtë si partnerë, si aleatë dhe si miq. Kjo është më e rëndësishme se kurrë në këtë botë dhe kam besim se mund të arrijmë shumë së bashku”, tha Pistorius në një takim me homologun e tij amerikan, Lloyd Austin në Pentagon.

Pistorius u prit sot me nderime të plota ushtarake në selinë e Departamentit të Mbrojtjes të SHBA.

Ceremonia përfshinte një gardë nderi të zgjeruar dhe bandë ushtarake.
Pistorius është aktualisht në një vizitë në SHBA dhe Kanada, një udhëtim që synon të bëjë të qartë angazhimin e rinovuar të Gjermanisë për mbrojtjen ushtarake për të dy partnerët e NATO-s të Amerikës së Veriut.

Pistorius tha se Gjermania ishte e përgatitur të jepte “më shumë kontribute për ndarjen e drejtë të barrës transatlantike”.

Ai përmendi rritjen e shpenzimeve gjermane të mbrojtjes që tani janë mbi objektivin e NATO-s prej të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), si dhe përgatitjet për të vendosur përgjithmonë një brigadë në Lituani dhe udhëheqjen në një nismë evropiane të mbrojtjes ajrore./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like