Interi bind dhe fiton pastër përballë Spezias, Berardi mjafton për Sassuolon

by admin
Spread the love

Interi fiton dhe bind në javën e dytë përballë Spezias duke fituar me rezultatin e pastër 3-0. Zikaltrit kontrolluan ndeshjen përgjatë 90-minutave duke mos e vënë asnjë moment në dyshim fitoren në “Giuseppe Meazza”.

Është dyshja Lukaku-Martinez që kombinon bukur në minutën e 35-të nga del edhe goli i parë për zikaltrit. Lukaku shërben mirë për Martinez, me yllin argjentinas që godet bukur dhe çon topin në cepin e portës së Spezias.

Edhe pjesa e dytë nis mirë për zikaltrit që prodhojnë raste të mira shënimi. Dyfishimi i rezultatit vjen në minutën e 52-të, këtë herë më autor turkun Hakan Calhanoglu.

Rezultati i takimit vendoset nga Joaquin Correa që shfrytëzon një pasim të Dzekos në brendësi të zonës dhe me portën e boshatisur çon topin në rrjetë. Kishte minuta në këtë takim edhe për talentin e Kombëtares shqiptare Kristjan Asllani që bëri debutimin me fanellën zikaltër në Serie A. Kështu me dy javë të luajtura, Interi i Inzaghit grumbullon 6 pikë.

Sfida tjetër e mbrëmjes së sotme ishte ajo midis Sassuolos dhe Leçes. Ka mjaftuar një gol i Domenico Berardit për të besuarit e Dionisit që të dilnin me pikë të plota nga ky takim. Sfida përfundoi me rezultatin 1-0 me Berardin që realizoi në minutën 40. /oversport.tv

Foto: Inter, Twitter

You may also like