Intelektualë dhe figura publike serbe i bëjnë thirrje Serbisë që ta pranojë propozimin evropian

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Një grup intelektualësh dhe figurash publike serbe, duke përfshirë ish-ambasadorë, gazetarë, historianë, politikanë dhe artistë, u bënë thirrje autoriteteve dhe qytetarëve serbë që të pranojnë propozimin franko-gjerman apo propozimin e BE-së, si një mundësi për Serbinë që “për herë të parë patjetër të orientohet drejt integrimeve euroatlantike”.

Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës përshpejtoi ndryshimet gjeostrategjike dhe, në këtë kuptim, në mënyrë të pashmangshme nxori në pah çështjen e Kosovës. Propozimi që BE-ja dhe ShBA-ja ia ofruan Serbisë dhe Kosovës me qëllim të konsolidimit të situatës në Ballkan është rezultat i këtyre rrethanave të reja dhe nevojës për stabilizim të rajonit dhe fokusim definitivisht në integrimin euroatlantik, shkruan në thirrjen e figurave publike për pranimin e propozimit të BE-së për Serbinë dhe Kosovën, raporton Danas , përcjell Klankosova.tv.

Siç shtohet, kjo është edhe një mundësi për Serbinë që për herë të parë në thelb të pajtohet me atë opsion.

“Serbia deklarativisht është e përkushtuar ndaj anëtarësimit në BE dhe në përputhje me rrethanat është përkushtuar ndaj vlerave mbi të cilat mbështetet ajo organizatë”. Çdo vend përgjegjës merr parasysh rrethanat ndërkombëtare dhe është i detyruar të bëjë një zgjedhje që do të lejonte përparimin e tij në të gjitha aspektet. Qindra mijëra qytetarë serbë janë larguar ose largohen për në Perëndim çdo ditë, ata tashmë e kanë bërë atë zgjedhje”, thuhet në thirrjen e intelektualëve dhe figurave publike në Serbi.

Diskutimet e pafundme nëse Kosova është pjesë integrale e politikës së papërgjegjshme të Serbisë dhe Beogradit, shtojnë ata, e cila ekziston që nga vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, janë kapërcyer nga realiteti.

“Nuk ka pasur një distancim të qartë nga ajo politikë sepse ende priten zhvillime që do të mundësonin aspiratat serbe në rajon. Kjo përveç prishjes së marrëdhënieve me fqinjët, dëmton edhe Serbinë, e cila me një politikë të tillë të “bashkimit” e vendos në prapavijë modernizimin, demokratizimin dhe mirëqenien e qytetarëve të saj”, thuhet në thirrje, transmeton Klankosova.tv.

Vihet re se “kthimi i Kosovës në kornizën shtetërore të Serbisë nuk është vetëm një iluzion, por është edhe i pamundur pa një luftë të re që do ta kthente sërish Serbinë prapa në mënyrë të pakuptueshme”.

“Serbia më në fund duhet të përballet dhe të pranojë pasojat e politikës së saj, sepse pa këtë as serbët dhe as shqiptarët në Kosovë nuk kanë perspektivë. Propozimi franko-gjerman i pranuar nga e gjithë BE-ja, përfshirë pesë anëtarët që nuk e njohën Kosovën, dhe i mbështetur nga ShBA-të, ofron një bazë të mirë për një hap përpara të civilizuar dhe të negociuar. Është në interesin e Serbisë të pranojë Kosovën dhe shqiptarët si partnerë të barabartë”, thuhet më tutje në thirrjen e intelektualëve dhe figurave publike serbe.

Sipas tyre, ky propozim bazohet në premisa që inicojnë procesin dhe hapin perspektiva si për Serbinë ashtu edhe për Kosovën.

“Kjo do të qetësonte marrëdhëniet, do të zgjidhte çështjen e sigurisë së serbëve në Kosovë dhe do të mbronte pronat e tyre, si dhe trashëgiminë kulturore dhe fetare”. Propozimi hap edhe perspektivën e zhvillimit ekonomik, sepse vetëm një dimension i mirë rajonal e pozicionon Serbinë si entitet ndërkombëtar. Zbatimi i marrëveshjes do të garantohej nga BE-ja dhe anëtarësimi në Bashkim praktikisht do të zhdukte kufijtë dhe do të mundësonte lirinë e lëvizjes dhe bashkëpunimit.

Ky propozim është një mundësi që nuk duhet ta humbasim, theksojnë nënshkruesit, sepse nuk ka garanci se do të ketë oferta më të mira”.

“Rrethanat historike diktojnë përgjegjësinë e të gjitha elitave – politike, akademike, mediatike dhe fetare – për të mbështetur propozimin që përfundimisht do të përcaktojë shtetin e Serbisë si shtet modern evropian. Ne, nënshkruesit e këtij apeli, u bëjmë thirrje përfaqësuesve të autoriteteve, institucioneve kompetente, aktorëve politikë dhe qytetarëve që të mbështesin propozimin e Bashkimit Evropian dhe SHBA-së, të iniciuar nga Franca dhe Gjermania”, përfundon thirrja e intelektualëve dhe figurave publike në Serbi.

Ky apel vjen pas peticionit dhe deklarimit të grupeve të tjera të intelektualëve serbë me përmbajtje krejtësisht të kundërt nga kjo. Është titulluar “Pa ultimatum, pa kapitullim”, dhe është iniciuar nga 205 anëtarë dhe simpatizues të “Lëvizjes për Mbrojtjen e Kosovës dhe Metohisë”, me 2292 nënshkrime deri më tani.

Të gjitha thirrjet vijnë para seancës së nesërme për Kosovën në Beograd, ku pritet të flasë presidenti serb Aleksandar Vuçiq.

 

 

You may also like