Iker Kasijas ironizon çmimin “FIFA The Best 2023”: Fitorja e Mesit e padrejtë, natën e mirë…

by admin
Spread the love

Legjenda e Realit të Madridit, Iker Kasijas ka kritikuar shpalljen e Lionel Mesit si lojtari më i mirë i vitit 2023 nga FIFA. Argjentinasi u votua përpara Erling Halandit dhe Kilië Mbapesë, pavarësisht se sulmuesi i Mançester Sitit fitoi tripletën sezonin e shkuar dhe u shpall golashënuesi më i mirë i Premier Ligës, por edhe Ligës së Kampionëve.

Edhe pse fituesi i “Topit të Artë” tre muaj më parë e fitoi për herë të tretë në histori këtë trofe, ai u rendit me pikë të barabarta me Erling Halandin (48), ndërsa diferencën e bëri vetëm kriteri se ai kishte më shumë vende të para nga kapitenët e kombëtareve sesa rivali norvegjez. Por ish-portieri i Spanjës, Iker Kasijas, e quajti këtë një padrejtësi dhe shigjetoi organizatorët e çmimit ndërsa shkroi në “Twitter”: “Ti krijon disa çmime të bukura dhe t’i i sfumon ato duke mos i bërë gjërat në mënyrë të drejtë. Gjithsesi, natën e mirë”. Qëndrimi i Kasijasit ishte edhe ai i shumë tifozëve që prisnin kurorëzimin e Halandit dhe jo të Mesit. Një lumë reagimesh në rrjetet sociale e quajtën një mashtrim çmimin “FIFA The Best”. “Mesi manipuloi një tjetër trofe, çfarë surprize”, shkruante njëri, ndërsa një tjetër shtonte: “Haland i grabitur… Të gjitha të manipuluara për Mesin”. Haland shënoi 50 gola në vitin 2023 dhe ndihmoi Sitin të fitonte tripletën historike në sezonin e tij të parë në klub. Kilië Mbape, gjithashtum pati një vit të paharrueshëm, duke e gjetur rrjetën 52 herë ndërsa PSG fitoi titullin kampion në Francë. Haland, Mesi dhe Mbape ishin gjithashtu tre kandidatët finalistë për “Topin e Artë” të vitit të kaluar, i cili u fitua nga argjentinasi.

Por Haland, i cili ishte i dyti në atë garë, këtë herë ishte konsideruar favorit për shkak të diferencës midis periudhave kualifikuese për çmimet e “Topit të Artë 2023” dhe “FIFA The Best 2023”. Ndërsa “Topi i Artë” mori parasysh një periudhë që përfshinte fitoren e Mesit në Kupën e Botës 2022 me Argjentinën, FIFA thotë se çmimi i lojtarit më të mirë të 2023 bazohet në performancat midis 19 dhjetorit 2022 (një ditë pas finales së Kupës së Botës) dhe 20 gushtit 2023. Roli i Mesit në triumfin e Argjentinës në Katar u llogarit në çmimin e lojtarit më të mirë të FIFA-s në vitin 2022. Asnjë nga kandidatët finalistë, Mesi, Haland dhe Mbape nuk ndodhej në ceremoninë e dhënies së çmimit në Londër mbrëmjen e së hënës, duke shkaktuar edhe një moment të sikletshëm me prezantuesin Tieri Henri, i cili tha me humor se nuk dinte se kujt duhet t’ia dorëzonte trofeun në atë çast.

 ANDROKLI DRALO-PANORAMASPORT.AL

You may also like