I zhgënjyer pas daljes nga lufta për titull, ylli i Juventusit jep lamtumirën po iku Alegri

by admin
Spread the love

Te Juventusi është koha për të bërë llogaritë për të ardhmen dhe kjo duke qenë se për të tretin vit radhazi ata rrezikojnë që ta mbyllin sezonin pa asnjë trofe. Dhe sigurisht që diçka e tillë nuk është aspak e bukur për shumë prej protagonistëve të rëndësishëm të skuadrës, që ndoshta meritojnë dhe mund të gjejnë diçka më shumë diku tjetër.

Kur një klub madhështor, me një histori dhe ADN triumfuese nis që të mos fitojë humb shumë nga sharmi i tij, kështu që ky ambient mund të nisë që të bëhet disi i bezdisshëm dhe aspak i denjë për një “Dukë” si Adrien Rabio, por mesa duket edhe për një “Kont” si Masimiliano Alegri.

Ndonëse këto tituj fisnikërie janë vetëm pseudonimet e tyre, qoftë francezi, ashtu sikurse italiani kanë nisur me të vërtetë që të mendojnë largimin dhe marrëdhënia e fortë që i lidh së bashku mund të bëjë që në rast largimi të njërit, të ketë një efekt zinxhir edhe me tjetrin.

Kjo vlen sidomos për Adrien Rabionë, i cili është në kulmin e karrierës së tij dhe nuk mendon më që të harxhojë kohë duke shpresuar se një ditë Juventusi do të rikthehet në nivelet që ia kërkon historia, pasi ai ka luksin e zgjedhjes kudo në Europë dhe mbi të gjitha i ofrojnë edhe më shumë miliona sesa 7.5 që fiton aktualisht në Torino.

I vetmi që mund ta bindë, siç bëri në verën e kaluar, është “Konti Maks”, por edhe vetë Alegri po luhatet dhe është në mëdyshje për të qëndruar apo jo, ndonëse ka edhe një tjetër vit kontratë me “Zonjën e Vjetër”. Por Rabio jo, më 1 korrik do të jetë një lojtar i lirë dhe nëse Juventusi po punon që ta bindë të rinovojë një kontratë tjetër të gjatë, e sigurt është se pa Alegrin në Torino ai do të largohej absolutisht.

Përveç Liverpulit, Mançester Junajtid, Arsenalit, Çelsit e Barcelonës, së fundmi është futur shumë seriozisht në lojë edhe Bajerni i Mynihut, i cili po bisedon intensivisht me të ëmën menaxhere të Rabiosë, pasi “Duka” i Juventusit duket lojtari ideal për të zëvendësuar një prej Leon Goreckës apo Joshua Kimishit, që tashmë nuk janë më të pashitshëm dhe aspak të lumtur në Mynih.

Te Bajerni Adrienin do ta priste një rol prej protagonisti nga vera e ardhshme, por mbi të gjitha edhe një pagë prej afro 15 milionë eurosh, por mbi të gjitha mundësia që të rikthehej të luftonte në të gjitha frontet për trofe.

Kështu që nëse Juventusi nuk kërkon që ta humbë liderin e mesfushës së tij, bën mirë që të nxitojë dhe mbi të gjitha t’i garantojë më shumë milionë, por edhe një skuadër të përforcuar për të pasur mundësinë që të luftojë për tituj, së bashku me “Kontin Maks” në stol mundësisht…

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like