I përjashtuan nga Conference League, Tottenham nuk dorëzohet përballë UEFA-s

by admin
Spread the love

Vala e re e COVID, me variantin e fundit Omicron, iu shkaktoi probleme të mëdha klubeve të Premier League.

Një nga më të prekurit nga kjo situatë ishte Tottenham. Skuadra e Antonio Contes pati një numër të lartë të infektuarish në organikë, ashtu si edhe në stafin teknik të trajnerit italian.

Kështu, nisur nga gjendja alarmante anglezët vendosën të mos zbrisnin në fushë për ndeshjen e fundit të grupit në Conference League përballë Rennes. Edhe pse francezët udhëtuan drejt Londrës, Spurs vendosën të mos e ndryshonin vendimin ndërsa nga ana tjetër, UEFA nuk qëndroi duarkryq.

Qeveria e futbollit europian ditën e hënë doli me një njoftim ku theksonte se ndeshja mes Tottenham dhe Rennes është përcaktuar në tavolinë me rezultatin 0-3 në disfavor të anglezëve.

Pas këtij vendimi, londinezët e shohin veten jashtë Europës duke qenë se e mbyllin grupin e Conference League si të tretët në renditje pas Rennes dhe Vitesse, teksa shpresa e tyre e vetme për t’u kualifikuar ishte të luanin dhe të merrnin tre pikët ndaj francezëve. Por të gjendur para këtij fakti, klubi i Tottenham është duke menduar një ankimim kundër vendimit të UEFA-s.

Anglezët, në ankimimin e tyre nuk pretendojnë të luajnë ndaj Rennes pasi janë të vetdijshëm se ndeshja nuk mund zhvillohet pasi nuk ka një datë të lirë, (rregullat e përcaktojnë se sfida mund të luhej maksimumi deri më datë 31 dhjetor), ndaj ideja është të përfitojnë një rimbursim të të ardhurave që do të hynin në arkat e klubit nga zhvillimi normal i ndeshjes me Rennes.

You may also like