Homazhe në San Françisko për Senatoren Dianne Feinstein

by admin
Spread the love

Vizitorët u radhitën gjatë orëve të mbrëmjes përpara godinës së bashkisë së qytetit San Françisko, ku ishte vendosur arkivoli i Senatores së ndjerë Dianne Feinstein.

Ky ishte pikërisht qyteti ku ajo pati filluar karrierën e saj politike dhe ku shërbeu gjithashtu për gati një dekadë si gruaja e parë që drejtoi bashkinë e këtij qyteti. Muzikantët luanin pjesë për violinë dhe instrumente të tjerë ndërsa njerëzit qëndruan në radhë drejt sallës kryesore të godinës së bashkisë, ku ishte vendosur arkivoli i saj, i rrethuar me litarë të purpurtë. Njerëzit sollën lule dhe mesazhe të shkruara, dhe qëndronin për pak sekonda në heshtje përpara se të nënshkruanin në librin e ngushëllimeve.

Ndër zyrtarët që morën pjesën ishte edhe ish-Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, e cila i ka fillimet e saj politike po në qytetin San Françisko.

Zonja Feinstein u zgjodh në vitin 1969 në bordin mbikqyrës të qytetit San Françisko, dhe ishte në detyrën e presidentes së këtij bordi kur një ish-anëtar i bordit vrau brenda bashkisë kryebashkiakun e qytetit. Zonjës Feinstein iu desh të shërbente si kryebashkiake në detyrë dhe vazhdoi të shërbejë në vazhdim në postin e kryebashkiakes deri në vitin 1988.

Pasi drejtoi San Françiskon si gruaja e parë kryetare e bashkisë, ajo u bë një ndër dy gratë e para përfaqësuese të Kalifornisë në Senatin amerikan, së bashku me zonjën Barbara Boxer. Ato u zgjodhën senatore në vitin 1992, që mbeti i njohur si “Viti i Gruas”. Megjithëse karriera e dërgoi atë në Uashington, ajo vazhdoi të jetë thellësisht e përfshirë në zhvillimet në San Françisko, qyteti ku lindi dhe u rrit.

Shërbimi përkujtimor për të mbahet të enjten në sheshin përpara bashkisë. Ndër folësit kryesorë do të jenë Nancy Pelosi, Nënpresidentja Kamala Harris dhe drejtuesi i shumicës në Senat, Chuck Schumer. Presidenti Joe Biden do t’i drejtohet pjesëmarrësve me një fjalim të regjistruar. /VOA


Top Channel

You may also like