Hollywood humbi më shumë se $500 miliardë në vlerë tregu në 2022 (fotot)

by admin
Spread the love

Për industrinë e Hollywood, viti 2022 nuk duket se ka qenë nga më të mirët teksa studiot, transmetimet në rrjet, kabllorët dhe gjigantë të tjerë mediatikë kanë humbur të gjithë së bashku një shumë totale prej $542 miliardë, shumicën e të cilave nga studiot Walt Disney Co., Netflix, e Comcast.

Indeksi i bursës Dow Jones Media Titans, i cili ndjek performancën e 30 grupeve më të mëdha mediatike të botës tha se industria ka humbur 40 përqind të vlerës së saj të tregut, e cila ka rënë nga $1.35 trilionë në $808 miliardë, sipas raportit të rrjetit Financial Times.

Humbjet ishin më të mëdha se ato për sektorë të tjerë të ekonomisë amerikane, siç ishin bankat, me një rënie prej 14.5 përqind në 2022, dhe telekomunikimet që kishin rënë me 11.2 përqind.

Viti i tmerrshëm për Hollywood duket se vinte nga rënia e tregut të shkarkimeve të përmbajtjeve në rrjet si dhe klientët e zhgënjyer që vijojnë të shkëputen në miliona prej industrisë, shkruan rrjetiBreitbart.

Përveç rënies së tregut të reklamave, klientët familjarë janë shkëputur prej rritjes së çmimeve të mallrave esencialë si ushqimi dhe energjia, prej “politikave katastrofike të presidentit Joe Biden”, shkruan Breitbart.

Disney — një nga kompanitë më të njohura kinematografike amerikane ra sivjet në vlerë me rreth 40 përqind, çka solli shkarkimin e drejtorit Bob Chapek dhe rikthimin në post të Bob Iger.

Disney, aksionet e të cilit janë në rënien më të madhe që prej vitit 1974, ka kaluar vitin 2022 duke promovuar aktivizmin LGBTQ, duke u konfliktuar hapur me guvernatorin republikan të Florida, Ron DeSantis, pas ligjit të tij “anti-joshje të fëmijëve në sistemin arsimor.”

Netflix ka pësuar gjithashtu humbje të abonentëve gjysmën e dytë të këtij viti, çka ka shkaktuar reduktim të stafit dhe të përmbajtjeve, në një rënie me 50 përqind.

Comcast — në pronësi të rrjeteve NBC e MSNBC, si dhe Universal — sivjet shënuan rënie me të paktën 30 përqind.

“Ishte një stuhi e madhe lajmesh të këqija,” shkruan Michael Nathanson, analist i grupit monitorues SVB MoffettNathanson, për Financial Times. “Kam kohë që mbuloj këtë sektor dhe nuk kisha parë ndonjëherë shifra kaq të këqija”.