HISTORI – Ish-anëtarët e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe të Gjermanisë ende në arrati

by admin
Spread the love

NJU JORK, 17 mars /ATSH/ – Autoritetet gjermane kanë gjurmuar ish-anëtarët e Fraksionit të Ushtrisë së Kuqe (RAF), një grup militant tashmë i zhdukur i kohës së Luftës së Ftohtë, të cilët kanë qenë në arrati për gati 30 vjet, sipas CNN.

E quajtur “pensionistët e RAF” nga media gjermane dhe ndër njerëzit më të kërkuar të Evropës, anëtarja femër e një treshe të arratisur u arrestua muajin e kaluar në një lagje të Berlinit, ku ajo kishte jetuar një jetë normale prej vitesh.

Tani, policia thotë se po mbyll rrjetën për dy bashkëpunëtorët e saj të dyshuar meshkuj, duke shpresuar që më në fund t’i japë fund një prej kapitujve më famëkeq në historinë e pasluftës së Gjermanisë.

I njohur gjithashtu si Grupi Baader-Meinhof, RAF doli nga një lëvizje protestuese e radikalizuar e krahut të majtë në Gjermaninë Perëndimore në fund të viteve 1960.

Grupi – i cili u mbështet pjesërisht nga forcat e policisë sekrete të Gjermanisë Lindore, Stasi – shkaktoi viktima gjatë viteve 1970 dhe 1980 me bomba vdekjeprurëse, rrëmbime dhe të shtëna me armë zjarri.

Politikanët gjermano-perëndimorë, si dhe figura të profilit të lartë në botën bankare, ushtarake dhe të biznesit ishin objektiva dhe 34 njerëz u vranë, duke përfshirë kreun e Bankës Dresdner, Jürgen Ponto dhe prokurorin federal Siegfried Buback.

200 persona të tjerë u plagosën.

Ndërsa disa anëtarë u arrestuan, të tjerë kaluan në ilegalitet kur RAF u shpërbë në 1998, ku ata kanë mbetur të pazbuluar – deri më tani.

Daniela Klette, 65 vjeçe, u arrestua në kryeqytetin gjerman muajin e kaluar dhe autoritetet thonë se po afrohen me dy nga bashkëpunëtorët e saj të dyshuar, Burkhard Garweg, 55 vjeç dhe Ernst-Volker Staub, 69 vjeç.

Treshja ishin në arrati nga akuzat për vjedhje me armë dhe tentativë për vrasje.

Klette u gjurmua në rrethin e Berlinit të Kreuzberg më 26 shkurt, pas një njoftimi të policisë. Mendohet se ajo jetonte në lagje për rreth 20 vjet, me emrin e supozuar Claudia Ivone.

Ajo po përballet me dy çështje të veçanta ligjore. Njëra lidhet me akuzat për përfshirje në gjashtë grabitje të armatosura dhe të paktën një vrasje në tentativë, në krime që dyshohet se janë kryer midis viteve 1999 dhe 2016, pasi RAF u shpërbë, sipas një njoftimi për shtyp nga Zyra e Prokurorit Publik të Gjermanisë.

”Tjetra lidhet me krimet e saj të dyshuara të RAF. Ndërsa ishte ende në RAF, Klette akuzohet për përfshirje në një sulm me armë në ambasadën e SHBA në Bonn në vitin 1991 dhe një sulm shpërthyes në Weiterstadt në 1993”, thuhet në deklaratë.

Sipas zyrës së prokurorit publik, Klette nuk ka dhënë ende asnjë informacion për të kaluarën e saj, por ka pranuar se ajo është Daniela Klette.

Pavarësisht se ishte e vetmja grua e etiketuar si e rrezikshme në listën e më të kërkuarve të Europolit, ajo iu shmang me sukses zbulimit nga autoritetet për pothuajse gjysmën e jetës së saj. Dhe në shumë aspekte, duket se ajo ishte fshehur në pamje të qartë.

”Fqinjët kanë përshkruar se si Klette u jepte matematikë dhe mësim gjermanisht fëmijëve të shkollave lokale në Kreuzberg”, raportoi tabloidi gjerman Bild.

Ajo gjithashtu shihej shpesh në zonën lokale duke shëtitur qenin e saj, Malaika. Një fqinj e përshkroi atë si një “person shumë të qetë”, sipas raporteve të mediave lokale.

Rreziku i paraqitur nga të arratisurit e RAF u nënvizua pasi policia gjeti një granatë në banesën e Klette, duke i shtyrë autoritetet të evakuonin bllokun e apartamenteve. Policia më vonë konfirmoi në X se granata ishte çaktivizuar në mënyrë të sigurt. Ndërkohë, autoritetet kanë paralajmëruar se Garweg dhe Staub konsiderohen të rrezikshëm dhe nuk duhen afruar pasi mund të jenë të armatosur.

Më vonë doli se gazetarët hetues ishin në gjendje të gjurmonin vendndodhjen e Klette përpara se policia të sulmonte apartamentin e saj në Kreuzberg, duke përdorur mjete të inteligjencës artificiale.

Duke drejtuar foton nga njoftimi i saj i kërkuar përmes mjetit të kërkimit të imazheve PimEyes, gazetarët nga një podcast televiziv ARD gjeneruan rezultatet e kërkimit të një gruaje më të vjetër të quajtur “Claudia Ivone”, raportoi Reuters.

Sipas gjetjeve të tyre, Ivone ishte një pjesëmarrës i rregullt në skenën afro-braziliane të Berlinit, derisa goditi pandemia Covid-19. Është e paqartë nëse gjetjet e gazetarëve ishin burimi origjinal i informacionit të policisë.

Arrestimi i Klette është përshëndetur si një moment historik në luftën kundër terrorizmit të brendshëm.

Megjithatë, Garweg dhe Staub mbeten në arrati.

”Dyshja mund të jetë arratisur edhe jashtë vendit”, thotë policia./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like