Heqja e digave në Europë po ringjall lumenjtë dhe po rrit biodiversitetin. Ja në ç’mënyrë

by admin
Spread the love

Një numër rekord digash dhe barrierash, u hoqën nga lumenjtë e Europës në vitin 2022, duke ndihmuar në rivendosjen e shëndetit të arterieve të ujërave të ëmbla të kontinentit.

Raporti vjetor nga Dam Removal Europe (DRE), një aleancë e shtatë organizatave të kafshëve të egra dhe mjedisit, tregon se 325 pengesa u hoqën nëpër lumenj në 16 vende, duke përmirësuar rrjedhat e lumenjve dhe duke i mundësuar peshqit, të arrijnë në zonat e tyre të shumimit.

Spanja udhëhoqi rrugën në heqjen e shumicës së pengesave ndaj rrjedhave të lumenjve, e ndjekur nga Suedia dhe Franca. Letonia dhe Luksemburgu, raportuan heqjen e barrierave për herë të parë dhe 73% e të gjitha barrierave të hequra ishin diga, deklaroi DRE.

Rivendosja e lumenjve me rrjedhje të lirë, është një mënyrë e rëndësishme për rritjen e biodiversitetit, shton raporti. Raporti i Rrezikut Global i Forumit Ekonomik Botëror 2023, renditi humbjen e biodiversitetit dhe kolapsin e ekosistemit, si një nga pesë kërcënimet kryesore për botën gjatë dekadës së ardhshme.

Rivendosja e biodiversitetit

Një nga heqjet më të papritura të digave ndodhi në Ukrainë, ku dega ukrainase e Fondit Botëror të Natyrës (WWF), hoqi digën 120-vjeçare Bayurivka në lumin Perkalaba në malet Karpate – pavarësisht se vendi ishte në luftë.

Fillimisht e ndërtuar për të ndihmuar transportin e lëndëve drusore, diga qëndroi e pashfrytëzuar për 40 vjet dhe ishte në rrezik shembjeje. Heqja e saj rihapi 27 kilometra lumë, duke lejuar peshqit, përfshirë salmonin e rrezikuar të Danubit, të arrinin në vendet e tyre tradicionale të vezëve.

Shpresohet se kthimi i popullatave të peshqve, do të rrisë numrin e kafshëve, që hanë peshq në zonë, si ariu i murrmë, duke krijuar atë që DRE thotë se mund të bëhet një “pikë e nxehtë biodiversiteti” në malet Karpate.

Kostoja e heqjes së digave

Pothuajse një e gjashta e pengesave për lumenjtë me rrjedhje të lirë, u rrëzuan sepse ata ishin të vjetruara dhe në rrezik shembjeje. Këto përfshinin dhjetë diga hidrocentrale të vjetra deri në një shekull, të cilat ishin shkatërruar.

Një klub norvegjez peshkimi sportiv, kishte bërë fushatë për të hequr një digë 106-vjeçare hidrocentrali në lumin Tromsa, e cila u shkatërrua me dinamit në janar 2022. Ajo është zëvendësuar nga një ujëvarë me shkallë, për të lejuar që peshqit të notojnë përsëri lart.

Në qershor 2022, diga hidroelektrike në La Rochequi-boit në lumin Sélune në Normandi u hoq, duke shtuar 60 km të lumit. Ndërkohë në Finlandë, heqja e digës Lahnasenkoski, solli projektin më të madh të restaurimit të lumit në vend, një hap më afër përfundimit.

Në përgjithësi, DRE thotë se të paktën 832 km lumenj u rilidhën në një vit, i cili gjithashtu pa një përparim drejt mbrojtjeve të reja ligjore për lumenjtë, si në nivelin Bashkimi Europian ashtu edhe në nivelin të qeverive të shteteve.

Edhe pse energjia hidrike, është burimi më i madh i vetëm në botë i energjisë me karbon të ulët, duke furnizuar një të gjashtën e prodhimit global të energjisë elektrike, DRE thotë se nevojiten më shumë kërkime, për të përcaktuar sasinë e kostos së heqjes së tyre, kur të arrijnë fundin e jetës së tyre operacionale.

Europa ka 150,000 diga të vjetruara dhe një studim i fundit i heqjes së digave në SHBA, sugjeron se kostoja mesatare e heqjes së një dige 10 metra të lartë është 6.2 milionë dollarë. DRE ka mirëpritur një aplikacion të ri, i cili llogarit koston e saktë të prishjes së digave individuale. / World Economic Forum

You may also like