Heqja e 20% si definicion për shqiptarët. Kovaçevski jopreciz nëse është dakord me këtë ndryshim kushtetues

by admin
Spread the love

Kryeministri Dimitar Kovaçevski nuk është i qartë nëse është ose jo dakord që kur të hapet Kushtetuta për t’i futur bullgarët, të votohet edhe heqja e termit 20% për popullin shqiptar. Sipas tij këto nuk janë çështje deklaratash, por çështje procedurash dhe se partitë asnjëherë nuk duhet të harrojnë se cili është qëllimi i hapjes së Kushtetutës, pra përshpejtimi i rrugës drejt BE-së.

“Dua të theksoj edhe njëherë se në mendje duhet të kemi prioritete, kurse për ne prioritet i lartë është vazhdimi sa më i shpejtë i rrugës drejt BE-së dhe të gjitha partitë politike duhet ta kenë këtë në mendje kur flasim edhe për ndryshimet kushtetuese, por edhe për çfarëdolloj çështjeje tjetër dhe kjo të jetë prioriteti ynë kur flasim pikërisht edhe për këtë çështje, gjegjësisht se për çka fillojnë ndryshimet kushtetuese dhe cili është qëllimi që duam të arrijmë e ajo është mbyllja sa më e shpejtë e skriningut dhe hapja e kapitujve negociues”- Dimitar Kovaçevski, Kryeministër.

Sipas kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, 20%-shi në Kushtetutë nuk e cenon substancën shqiptare në Maqedoninë e Veriut, ndërsa shton se heqja e saj do të bëhet në momentin e duhur, por pa caktuar se kur konkretisht.

“Nuk ka asnjë problem, ne kemi diskutuar edhe me VMRO-në edhe me LSDM-në. Në momentin e duhur që ne do i kemi 80 mandate me 2/3, sepse është ndryshim i Kushtetutës, ky problem edhe mund të rregullohet. Unë ju siguroj se 20% nuk e cenon substancën shqiptare në këtë vend dhe nuk e kam për shqetësim se kjo nuk do të ndodh nesër. Kjo do të ndodh në momentin e duhur me një marrëveshje sepse asgjë nuk humbin bashkëqytetarët maqedonas nëse nga 20% shkruhet kombi shqiptar”– Ali Ahmeti, Kryetar i BDI-së.

Nga Lëvizja Besa kanë pohuar se e kanë autorizuar kreun e partisë Bilall Kasami që të thërrasë takimin e radhës në kuadër të tryezës së partive parlamentare shqiptare ku do të bisedohet për procesin e ndryshimeve kushtetuese dhe kushtet e partive politike shqiptare në rast të hapjes së Kushtetutës. Edhe nga ASh janë të mendimin se është e nevojshme një takim mes partive shqiptare për unifikim rreth kësaj kërkese. Edhe nga Alternativa janë pro heqjes se 20%, por presin edhe mbështetjen për amendamentin kushtetues për mos vjetërsimin e lëndëve penale për abuzime me detyrën zyrtare.

You may also like