Haradinaj: Të iniciohet mocion mosbesimi për Kurtin, nuk e dëgjoi ShBA-në dhe nxiti konflikt në veri

by admin
Spread the love

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, deklaroi sot se qëndrimi i partisë së tij është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti.

Para gazetarëve në konferencë për media ai u shpreh se ky mocion mosbesimi bazohet në dy zhvillimet më të fundit.

“I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me ShBA-në dhe BE-në, deri te edhe sanksionet nga ShBA-ja ndaj Kosovës”, tha Haradinaj.

Tutje ai shtoi se do të fillojnë konsultimet me spektrin politik, me shoqërinë në përgjithësi, dhe se beson që mocioni është zgjidhja në këtë situatë të krijuar.

“Do të angazhohemi që ta sqarojmë para qytetareve pse Kurti është përgjegjës për rrezikimin e sigurisë së vendit dhe sovranitetin e veri. ShBA duke e paraparë rrezikun për një agjendë destabilizuese nga Serbia e nga bandat kriminale ne veri, i ka ofruar qeverisë një plan qe të mbajë përgjegjësi që nga zhvillimet e tabelave e deri në përmbyllje të dialogut. Kryeministri Kurti në vend se të bashkëpunojë me planin e tyre për integrim të veriut, e ka vazhduar një plan të vetin për të nxitur e për të krijuar një palë për konflikt, e që është interes i Rusisë dhe i Putinit, pra nuk ka bashkëpunuar me Amerikën por ka vazhduar duke e nxitur një konflikt në veri që është interes i Putinit dhe i Rusisë”.

Njëkohësisht Haradinaj tha se është hedhur poshtë një punë e gjatë që ushtria jonë të jetë në rresht me ushtrinë e NATO-s e të Amerikës, e suksesi i arritur që do të ishte baza për të ecur para për partneritet për paqe me NATO-n, është rrezikuar dje nga vendimi për ndërprerjen ose dëbimin e ushtrisë së Kosovës nga Defender 2023.

“Ajo që e bën këtë situatë shumë të keqe është pafytyrësia e Kurtit që në emër të popullit të Kosovës t’i drejtohet përmes mediave sekretarit Blinken me fjalorin që i është drejtuar. Atë fjalor e ka përdorur në raste të caktuara Zaharova, pra Kurti ka shkuar në ekstrem të një komunikimi fyes për aleatin tonë kryesor dhe garantin tonë kryesor të sigurisë, pa të cilin edhe sot gjendja në veri do të ishte më e keqe”.

Haradinaj për fund u shpreh se beson që mocioni do të përkrahet nga të gjithë, apo nga shumica.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

You may also like