HAPËSIRË – Miliona njerëz në pritje të eklipsit të plotë diellor

by admin
Spread the love

NJU JORK, 8 prill /ATSH-DPA/- Miliona njerëz në Meksikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada janë sot në pritje të eklipsit të plotë diellor, një spektakël i rrallë qiellor.

Eklipsi ndodh kur Hëna kalon midis Tokës dhe Diellit, duke bllokuar plotësisht pamjen e Diellit dhe duke e kthyer ditën në natë. Ajo që duket si një unazë e zjarrtë do të shihet duke konturuar Hënën.

Duke nisur mbi Oqeanin Paqësor, eklipsi do të zhvendoset në Meksikën veriore, dhe pasdite do të shfaqet në SHBA nga Teksasi në veri-lindje në Maine dhe më pas do të kalojë Kanadanë juglindore përpara se të përfundojë mbi Atlantikun e Veriut.

Korridori i ngushtë përfshin qytete të mëdha si Dallas, Indianapolis, Bufalo dhe Montreal, me një popullsi totale prej më shumë se 30 milion njerëz.

Ndjekësit e eklipsit kanë udhëtuar nga larg për të përjetuar atë që agjencia amerikane e hapësirës NASA e quan një “kryevepër kozmike”.

“Eklipset kanë një fuqi të veçantë. Ata i shtyjnë njerëzit të ndiejnë një lloj respekti për bukurinë e universit tonë,” tha shefi i NASA-s, Bill Nelson në konferencën e fundit për shtyp.

Eklipsi i fundit i plotë diellor në SHBA ndodhi në gusht 2017, në Meksikë në 1991 dhe në Kanada në 1979.

Pas ditës së hënë, Amerika e Veriut nuk do të përjetojë një tjetër eklips deri në vitin 2044.

Megjithatë, perspektiva e motit nuk është veçanërisht e mirë. Për SHBA-në, në shumë rajone parashikohen re, shi dhe stuhi, ndërsa pamjet më të mira priten në shtetet verilindore.

Shkencëtarët në bashkëpunim me NASA-n janë përgatitur për të vëzhguar, regjistruar dhe matur eklipsin diellor duke përdorur aeroplanë dhe balona.

“Bregdeti i Paqësorit të Meksikës do të jetë i pari që do të shohë eklipsin në orën 11:07 të mëngjesit”, tha NASA.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like