Goleadë në “Loro Boriçi”, Latifi dhe Jonuzi fundosin Teutën

by admin
Spread the love

Vllaznia rigjen fitoren në kampionat, pasi ka mposhtur në “Loro Boriçi” 4-2 kampionët në fuqi të Teutës. Shkodranët kalojnë shumë shpejt në avantazh të dyfishtë, por më pas komplikojnë fitoren dhe mbyllin pjesën e parë në avantazh 3-2.

Jonuzi shënon një supergol në pjesën e dytë dhe vulos një fitore të merituar të Vllaznisë. Teuta vazhdon të zhgënjejë dhe koleksionon humbjen e 5-të në 6-të takimet e fundit që ka zhvilluar në kampionat.

Latifi shënon për shkodranët që në minutën e 2-të të takimit, ndërsa Diagne realizon golin e dytë të Vllaznisë në minutën e 7-të. Shkodranët janë të papërmbajtshëm dhe Latifi shënon edhe golin e dytë personal dhe të tretin për skuadrën vendase.

U duk sikur historia e kësaj sfide mbaroi, por durrsakët reagojnë menjëherë dhe shkurtojnë diferencat me Hebaj, ndërsa Lorenco Vila çon në 3-2 rezultatin e pjesës së parë.

Vllaznia dominon pjesën e dytë dhe kërkon golin e sigurisë. Latifi dhe Adili rrezikojnë por nuk mposhtin dot portierin Qirko. Fjoart Jonuzi lëshon një predhë nga jashtë zone dhe shënon një supergol, që qetëson tifozët dhe kampin shkodran.

Vllaznia rikthehet tek fitorja dhe mban gjallë shpresat për një vend në Europë, ndërsa Teuta nuk po arrin të dalë nga tuneli ku është futur. / Oversport.tv

Abissnet Superiore – Java e 20-të

Vllaznia-Teuta 4-2

Latifi 2’, 16’, Diagne 7’, Jonuzi 72’ / Hebaj 18’, L. Vila 41’

You may also like