Gjykata Supreme për rastin e Naser Pajazitajt: S’ka prova që argumentojnë fajësinë e tij

by admin
Spread the love

Gjykata Supreme ka bërë të ditur se pajtohet me konkludimet e nxjerra nga dy instancat gjyqësore në rastin ku Naser Pajazitaj akuzohet se e ka vrarë të ndjerën Donjeta Pajaziti.

Supremja tha se pajtohet në tërësi me aktgjykimin e shkallës së parë ku nuk rezultojnë të jenë kontestuese rrethanat objektive të rastit dhe atë se “e ndjera D. P., me datë 09.11.2015 kishte dalë nga shtëpia e saj për të shkuar në punë dhe të njëjtën datë edhe është zhdukur. Kufoma e saj ishte gjetur me datë 17.12.2015 në vendin e quajtur “Kroi i Lajthisë”, se e njëjta ishte privuar nga jeta duke u qëlluar dy herë në pjesën e kokës, me një revole të tipit të panjohur”.

“Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, kontestuese janë rrethanat subjektive, përkatësisht fakti se a është kryerësi i veprës penale i pandehuri, dhe është pikërisht ky aspekt, që bëri dallimin mes interpretimit të bërë nga gjykata e shkallës së parë dhe të cilin konstatim e kishte pranuar edhe gjykata e shkallës së dytë në njërën anë dhe Gjykatës Supreme të Kosovës në anën tjetër”, thuhet në sqarimin e gjykatës, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Gjykata Supreme thotë se në këtë çështje juridiko penale s’ka prova të drejtpërdrejta që argumentojnë fajësinë e të dënuar Naser Pajaziatj, por sipas tyre, ka vetëm indice dhe se skema e ngjarjes është ndërtuar duke u bazuar në prova rrethanore, duke u ndërlidhur hallkat e zinxhirit të ngjarjes.

“Për këtë arsye, për gjykimin e një rasti bazuar në prova rrethanore, gjithmonë është i nevojshëm standardi i vërtetuar përtej dyshimit të arsyeshëm dhe i cili përmbushet vetëm atëherë kur përfundimi i nxjerrë nga këto prova është i vetmi përfundim i arsyeshëm që mund të nxjerrët prej provave të paraqitura. Pra, duhet të sigurohen prova që të mbyllet qarku, përkatësisht të përjashtohet mundësia që personat e tjerë të jenë kryes të veprës penale. E në rastin konkret, ky qark nuk është mbyllur”, thuhet tutje në sqarimin e gjykatës, përcjell Klankosova.tv.

E, Gjykata Supreme e ka shprehur edhe shqetësimin për vendimin e dy instancave më të ulëta gjyqësore ndaj Naser Pajazitaj, ku shqiptuan dënim maksimal “dhe atë pa një vlerësim dhe analizë të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirëse të provave që ishin në shkresat e lëndës dhe njëkohësisht duke bërë interpretim të ligjit penal”.

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber.

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS.

 

You may also like