Gjykata Kushtetuese i jep të drejtë Abelard Tahirit, shkarkimi i 5 anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil është kundërkushtetues

by admin
Spread the love

Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka cilësuar si të jashtëligjshëm shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMShCK).

Kushtetuesja e ka vlerësuar të pranueshme kërkesën e deputetit Abelard Tahiri dhe 10 deputetëve të tjerë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij vendimi, që ishte marrë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 30 qershor 2021.

NJOFTIMI I PLOTË I GJYKATËS KUSHTETUESE:

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi kërkesën KO 127/21, të parashtruar nga Abelard Tahiri dhe dhjetë (10) deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit [nr. 08-V-029], të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të 30 qershorit 2021, për shkarkimin e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.   

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të
kontestuar të Kuvendit, Gjykata njëzëri vendosi që (i) kërkesa është e
pranueshme; (ii) Vendimi [nr.08/V-029] i 30 qershorit 2021 i Kuvendit nuk
është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi Civil] të
Kushtetutës
; (iii) të shfuqizojë Vendimin e lartcekur; (iv) të shfuqizojë
Masën e Përkohshme të përcaktuar përmes Vendimit të Gjykatës, të 21 tetorit
2021; dhe (v) të refuzojë kërkesën për seancë dëgjimore.

Gjykata rikujton që më 30 qershor 2021, duke u bazuar në rekomandimin e
Komisionit të Kuvendit për Administratë Publike, Kuvendi votoi për shkarkimin e
pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Duke kontestuar kushtetutshmërinë e këtij akti, parashtruesit e kërkesës, ndër të
tjera, pretenduan para Gjykatës se Vendimi i kontestuar i Kuvendit, cenon
pavarësinë e Këshillit, të garantuar me nenin 101 [Shërbimi Civil] dhe me nenin
142 [Agjencitë e Pavarura] të Kushtetutës, duke theksuar se Këshilli, si organ i pavarur kushtetues, nuk mund t’i nënshtrohet
ndërhyrjeve nga ana e Kuvendit dhe se për shkarkimin kolektiv të anëtarëve të
Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, nuk janë përmbushur asnjë nga kriteret e
përcaktuara përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin
Civil të Kosovës. Pretendimet e dorëzuara në Gjykatë nga një
deputet i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje!, ndër të tjera, theksojnë
se Kuvendi në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar ka vepruar në përputhshmëri me
funksionin e tij mbikëqyrës, ndërsa rasti i ngritur para Gjykatës, nuk ngërthen
çështje kushtetuese.


vlerësimin e pretendimeve përkatëse dhe rrethanave që ngërthen rasti, Gjykata
(i) fillimisht elaboroi statusin e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës dhe
anëtarëve të tij, duke u bazuar në Kushtetutë, ligjet e aplikueshme dhe në praktikën
gjyqësore të Gjykatës; (ii) elaboroi kompetencën e Kuvendit dhe kufizimet
përkatëse në ushtrimin e funksionit të mbikëqyrjes së Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës; dhe në fund (iii) aplikoi këto parime në vlerësimin e kushtetutshmërisë
së Vendimit të kontestuar të Kuvendit.

Përkitazi me pavarësinë institucionale
të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata, ndër të tjera, theksoi se (i) Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës është institucion i
themeluar me nenin 101 të Kushtetutës për dallim nga Agjencitë e Pavarura të
cilat themelohen nga Kuvendi, përmes ligjeve, bazuar në nenin 142 të Kushtetutës; (ii) Kushtetuta i ka përcaktuar Këshillit statusin e
institucionit të “pavarur”, me theks
në ushtrimin e funksionit të tij kushtetues, përkatësisht, “sigurimin e respektimit të rregullave dhe parimeve që  rregullojnë shërbimin civil”; (iii)
vendimmarrja e pavarur e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës është
kusht për ushtrimin e këtij funksioni kushtetues; (iv) bazuar në praktikën
gjyqësore të konsoliduar të Gjykatës, është përcaktuar se Këshilli i Pavarur
Mbikëqyrës gëzon prerogativat e një “tribunali
në kuptim të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të
Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta
për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane
për të Drejtat e Njeriut dhe se vendimet e Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës janë “përfundimtare,
të detyrueshme dhe të ekzekutueshme”
; dhe (v) kontrolli i ligjshmërisë së
vendimeve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës bëhet përmes inicimit të
konflikt administrativ në gjykatën kompetente, rrjedhimisht, ato i nënshtrohen
kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ.

Përkitazi me pavarësinë e anëtarëve
Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i)
pavarësia e ushtrimit të funksionit kushtetues të Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës për “sigurimin
e respektimit të rregullave  dhe  parimeve 
që  rregullojnë  shërbimin 
civil”
nënkupton edhe pavarësinë e anëtarëve të tij në
vendimmarrje; dhe (ii) për të njëjtin qëllim, vetë Kuvendi përmes Ligjit për
Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, ka përcaktuar edhe
imunitetin e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nga ndjekja penale,
paditë civile ose shkarkimi “lidhur me vendimmarrjen në kuadër të
funksioneve kushtetuese dhe ligjore të Këshillit
”, përkatësisht, për
pikëpamjet e shprehura, mënyrën e votimit apo vendimet e marra gjatë punës së
tyre si anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.

Përkitazi me kompetencën e Kuvendit për të mbikëqyrur Këshillin e Pavarur
Mbikëqyrës, Gjykata theksoi se (i) kompetenca e Kuvendit për të mbikëqyrë punën
e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të
Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit është e përcaktuar në paragrafin
9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; (ii) kjo kompetencë
ushtrohet në përputhje me garancitë kushtetuese për pavarësinë e Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës; dhe (iii)
kompetenca e mbikëqyrjes së Kuvendit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës është
më tej e detajuar përmes Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për
Shërbimin Civil të Kosovës dhe përfshinë, ndër të tjera, edhe autorizimin e
Kuvendit për ndërprerjen e mandatit të anëtarëve të Këshillit në rrethanat e
përcaktuara me nenin 15 (Ndërprerja e mandatit të anëtarit të Këshillit) të këtij
ligji. Megjithatë, Gjykata tutje theksoi se, ushtrimi i autorizimit ligjor për
ndërprerje të mandatit, përjashton ndërprerjen e të njëjtit për shkak të “vendimmarrjes” së anëtarëve të
Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, sepse rrethana të tilla, (i) do të cenonin
pavarësinë institucionale të Këshillit dhe anëtarëve të tij, siç është
përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të Kushtetutës; dhe (ii) do të ishin në
kundërshtim edhe me vetë përcaktimin e Kuvendit që anëtarët e Këshillit të
gëzojnë imunitet nga shkarkimi për vendimmarrjen, siç është përcaktuar përmes
dispozitave përkatëse të Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për
Shërbimin Civil të Kosovës.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit
të kontestuar të Kuvendit, Gjykata rikujtoi se i njëjti është referuar në pikat
1.3 dhe 1.1 të paragrafit 1 të nenit 15 të Ligjit për Këshillin e Pavarur
Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës. E para, përkatësisht pika 1.3 e nenit 15 e
këtij ligji, përcakton mundësinë e
ndërprerjes së mandatit “në rastet e kryerjes së detyrave në papajtueshmëri me funksionin e tij”. Megjithatë, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, nuk përmban asnjë fakt e arsyetim
se si pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës kolektivisht, mund të
kenë ushtruar detyrat e anëtarit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në
papajtueshmëri me funksionin e tyre. Ndërsa, e dyta, përkatësisht pika 1.1 e
nenit 15 të ligjit të lartcekur, përcakton mundësinë e ndërprerjes së mandatit “për shkelje të dispozitave të këtij ligji”. Në kontekst të kësaj të fundit, Vendimi i kontestuar i Kuvendit, thekson
se “është
vlerësuar se Këshilli ka vepruar në kundërshtim me nenin 12 të Ligjit për
KPMSHCK, për arsye se nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë vendimmarrjes.”
Gjykata, ndër të tjera, theksoi se Vendimi i kontestuar i Kuvendit,
nuk i referohet asnjë fakti e arsyetimi në mbështetje të shkeljes së pretenduar
të kësaj dispozite nga pesë (5) anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës
kolektivisht, përpos vënies theks në “vendimmarrjen
e anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës. Kjo për më tepër, rezulton edhe
nga fakti që Vendimit të kontestuar, i kishin paraprirë një sërë veprimesh dhe
pyetjesh të Komisionit përkatës të Kuvendit drejtuar Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës përkitazi me vendimmarrjen në raste konkrete.

Në këtë kontekst, Gjykata theksoi se (i) Kuvendi ka kompetencë kushtetuese
të mbikëqyrë Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës, duke përfshirë mundësinë e
ndërprerjes së mandatit të anëtarëve të tij në rastet e përcaktuara në Ligjin
për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës; por se (ii)
anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës nuk mund të shkarkohen vetëm për
shkak të “vendimmarrjes” së tyre
sepse përkitazi me të njëjtën kanë pavarësi kushtetuese dhe ligjore, si dhe imunitet
nga shkarkimi, siç është përcaktuar në vetë ligjin që ka miratuar Kuvendi.  

Gjykata
gjithashtu theksoi se Kuvendi duke shkarkuar (5) pesë anëtarë të Këshillit të Pavarur
Mbikëqyrës në mënyrë kolektive dhe pa shtjellimin e asnjë fakti e të bazuar në
ligj, por vetëm me arsyetimin se Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës “nuk ka zbatuar ligjet e aplikueshme gjatë
vendimmarrjes”,
përkatësisht për shkak të vendimmarrjes së tyre në raste
konkrete, për të cilën anëtarët e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës gëzojnë
pavarësi kushtetuese dhe imunitet nga shkarkimi dhe e cila vendimmarrje, për më
tepër, i nënshtrohet kontrollit të pushtetit gjyqësor dhe jo atij legjislativ,
ka tejkaluar kufijtë e kompetencës së mbikëqyrjes së punës së institucioneve
publike, të përcaktuar me paragrafin 9 të nenit 65 të Kushtetutës, në cenim të
garancive përkitazi me pavarësinë e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës në
ushtrimin e funksionit të tij, të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 101 të
Kushtetutës. Gjykata nënvizoi që, në ushtrimin e kompetencës kushtetuese për
mbikëqyrjen e Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës, Kuvendi ka gjithashtu detyrimin
që të ruajë pavarësinë e Këshillit, të cilën vetë ia ka atribuuar përmes
miratimit të Kushtetutës dhe Ligjit për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për
Shërbimin Civil të Kosovës.

Për pasojë dhe përfundimisht, Gjykata konstatoi
se Vendimi [nr. 08/V-029] i Kuvendit të Republikës së Kosovës lidhur me shkarkimin
e pesë (5) anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të
Kosovës, nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 2 të nenit 101 [Shërbimi
Civil] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

You may also like