Gjermania nuk harron Merkelin: Nderohet me medaljen më të lartë të vendit

by admin
Spread the love

Edhe pse është larguar nga jeta politike e vendit, Gjermania nuk e harron Angela Merkelin.

Ish-kancelarja që drejtoi vendin për 16 vjet, duke ndihmuar në shndërrimin e tij në motorrin ekonomik të Europës e duke e drejtuar atë me sukses mes krizash të vështira, u nderua me medaljen më të lartë të Gjermanisë, Kryqin e Madh të Urdhërit Federal për Merita.

“Jam i kënaqur që arrij t’ju nderoj sot në këtë mënyrë, Angela Merkel. T’ju nderoj, e shquar kancelare, për mandatin tuaj të gjatë në detyrë dhe për jetën tuaj të jashtëzakonshme politike, në të cilën përdorët në mënyrë kaq bindëse përvojën tuaj gjatë diktaturës për të forcuar demokracinë. Tani ne mund të hedhim vështrimin pas e të shohim 16 vite rritjeje ekonomike pothuajse të pandërprerë, gjatë të cilave plaga e papunësisë e humbi gjithmonë e më shumë pushtetin e frikës që ushtronte mbi shumicën e gjermanëve”, tha presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier.

Deri më sot në Gjermani janë nderuar me Urdhrin e Meritës më shumë se 260,000 vetë. Por Angela Merkel është personi i tretë që nderohet me shkallën më të lartë të Urdhrit të Meritës për qytetarët gjermanë: Kryqin e Madh. Ky çmim i rëndësishëm u është dhënë “gjermanëve dhe të huajve për arritje në fushat politike, ekonomike, sociale apo intelektuale” që nga viti 1951.

Dy paraardhësit e saj ishin gjithashtu kancelarë dhe i përkisnin të njëjtës parti konservatore si Merkel, Unionit Kristian Demokrat: Konrad Adenauer, kreu i parë i qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, e mori Kryqin e Madh për integrimin ekonomik dhe politik të Republikës Federale në Europën Perëndimore në vitin 1954 dhe Helmut Kohl, që hapi rrugën për ribashkimin e Gjermanisë dhe luajti rol vendimtar për futjen e euros si monedhë në vend të markës gjermane, u nderua në vitin 1998.


Top Channel

You may also like