GJERMANI – Dhoma e Lartë miraton paketën e energjisë, ul taksën për gazin

by admin
Spread the love

BERLIN, 7 tetor /ATSH-DPA/-Dhoma e Lartë e parlamentit gjerman, Bundesrat, miratoi sot paketën legjislative të energjisë që synon reduktimin e konsumit të gazit duke përforcuar furnizimet dhe zgjeruar energjinë e rinovueshme, si dhe duke ulur taksën për gazin natyror.

Masat kanë për qëllim përmirësimin e kuadrit për krijimin e energjisë diellore dhe të erës, si dhe biogazin dhe gazin natyror të lëngshëm- LNG.

Michael Kellner, sekretari parlamentar i shtetit në Ministrinë e Ekonomisë, tha se legjislacioni ishte i rëndësishëm për të siguruar furnizimet me energji në Gjermani dhe për t’u bërë më i pavarur nga karburantet fosile ruse.

Bundesrat miratoi uljen e taksës për gazin natyror nga 19% në 7% duke filluar nga ky muaj, në kuadër të krizës energjetike të shkaktuar nga lufta e Rusisë në Ukrainë.

Ulja e taksave do të qëndrojë në fuqi deri në mars 2024.

Rreth 200 miliardë euro (196 miliardë dollarë) janë caktuar tashmë nga qeveria gjermane për të mbështetur qytetarët dhe bizneset gjatë krizës aktuale të energjisë dhe inflacionit. Ndërsa propozimi për vendosjen e një kufiri të çmimit të gazit është ende në diskutim e sipër.

Qeveria ka caktuar një komitet ekspertësh për të rekomanduar një plan për të vendosur kufirin e çmimeve.

“Komisioni ka planifikuar të takohet këtë fundjavë për të vendosur rreth një propozimi që do të paraqitet të hënën”, tha sot një zëdhënës.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like