GJENEVË – OKB: Përdorimi i urisë në Gaza si taktikë konflikti mund të jetë krim lufte

by admin
Spread the love

GJENEVË, 19 mars /ATSH-DPA/ – Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk beson se Izraeli mund të jetë duke përdorur urinë në Rripin e Gazës si një taktikë konflikti, çka do të ishte e barabartë me një krim lufte.

Një zëdhënës i zyrës së tij tha se do të jetë në dorën e gjykatave ndërkombëtare për të përcaktuar nëse kjo po ndodhte në të vërtetë.

Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar për një zi buke të afërt, me rreth 1,1 milionë njerëz në rajonin palestinez në një situatë të dëshpëruar.

“Shkalla e kufizimeve të vazhdueshme të Izraelit për hyrjen e ndihmave në Gaza, së bashku me mënyrën në të cilën ai vazhdon të kryejë armiqësi, mund të arrijë në përdorimin e urisë si një metodë lufte, e cila është një krim lufte”, tha Turk në një deklaratë.

“Ora po troket. Të gjithë, veçanërisht ata me ndikim, duhet të këmbëngulin që Izraeli të veprojë për të lehtësuar hyrjen dhe shpërndarjen e papenguar të ndihmës humanitare të nevojshme dhe mallrave komerciale për t’i dhënë fund urisë dhe për të shmangur çdo rrezik të urisë”, theksoi ai.

Sipas Kombeve të Bashkuara dhe ekspertëve ligjorë ndërkombëtarë, Izraeli është një fuqi pushtuese sepse kontrollon praktikisht të gjitha pikat e hyrjes dhe furnizimet në Rripin e Gazës./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like