GJENEVË – OBSH: Të shqetësuar për vdekjet pas sulmit ajror në Rafah

by admin
Spread the love

GAZA, 3 mars /ATSH-DPA/- Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus iu përgjigj me zemërim raporteve për vdekjen e disa palestinezëve gjatë një sulmi të dyshuar ajror izraelit në qytetin jugor të Rripit të Gazës, Rafah.

“Këto shifra janë shqetësuese dhe të papërshkrueshme”, tha Tedros Adhanom Ghebreyesus në X, platforma e njohur më parë si Twitter.

“Raportet se bombardimet në Rafah, ku strehoheshin njerëzit e zhvendosur, vranë 11 persona dhe u plagosën 50 të tjerë, përfshirë fëmijë, janë shqetësuese dhe të papërshkrueshme”, tha ai.

Deklarata e tij erdhi si përgjigje ndaj deklaratës së autoritetit shëndetësor të Gazës, i kontrolluar nga Hamasi, të cilët thanë se të paktën 11 palestinezë u vranë dhe 50 të tjerë u plagosën në sulmin e dyshuar izraelit. Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.

“Dy punonjës shëndetësorë ishin në mesin e të vrarëve”, sipas shefit të OBSH-së.

“Punonjësit shëndetësorë dhe civilët duhet të mbrohen në çdo kohë. Ne i bëjmë thirrje Izraelit të pushojë zjarrin”, tha ai.

Në mbrëmje, ushtria izraelite tha se sulmoi një grup luftëtarësh nga milicia e Xhihadit Islamik, të lidhur me Hamasin.

“Sulmi në Rafah kishte në shënjestër në mënyrë specifike terroristët dhe asnjë dëm nuk ishte shkaktuar në spitalin aty pranë, megjithëse ky informacion nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur”, tha ai.

Hamasi tha se tendat që u përkisnin refugjatëve përpara hyrjes së një spitali u goditën dhe se një ndihmës mjek dhe një infermiere në spital ishin në mesin e viktimave.

Rreth 1,5 milionë njerëz janë grumbulluar në Rafah, qyteti më jugor në Gaza në kufi me Egjiptin. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like