Gazeta “Reporteri” padit për shpifje Sadri Ramabajën për deklaratën e tij se disa media janë të blera nga “Sputnik”

by admin
Spread the love

Gazeta Online “Reporteri” dhe kryeredaktori i saj, Mentor Gjergjaj, kanë paditur për shpifje dhe fyerje ish-asamblistin e Lëvizjes Vetëvendosje, Sadri Ramabaja, lidhur me deklaratën e tij se disa media në Ballkan, duke mos e përjashtuar as vendin tonë, janë të blera nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve ruse e quajtur “Sputnik”.

Sipas padisë së 14 shkurtit 2022, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Ramabaja, më 31 janar 2022, në debatin televiziv “Pressing”, në televizionin “T7”, me vetëdije të plotë, kishte dhënë deklaratë me motive nënçmuese kundër paditësve, duke përhapur deklarime të pavërteta, duke tentuar të dëmtojë reputacionin e paditësve.

Lidhur me këtë padi, “Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe të paditurin Ramabaja, i cili e ka mohuar në tërësi që ka përdorur gjuhë fyese dhe shpifëse ndaj gazetës “Reporteri”.

“Unë nuk e kam pranu padinë, ata kanë shpifë për mu, unë kurrgjë nuk kam shpifë për ata. Ata janë marrë më shpifje të ulëta, madje dhe kur të ballafaqohemi në gjyq tani e shohim”, ka deklaruar Ramabaja.

Sipas padisë, Ramabaja kishte deklaruar se “Ajo çka më bën mua përshtypje, qoftë intervista te Reporteri, sidomos te Reporteri, po edhe debatet e ndryshme etj., vërejmë një tip të mazohizmit politik në hapësirën tonë. Kemi qejf disi me i ba keq vetëvetit vetëm me dalë të mirë para të huajve. Ka marrë fund kjo epokë, duhet me ndryshu”.

“Përmes përdorimit të shprehjes “mazohist” në mënyrë të veçantë, i padituri ua dedikon të njëjtën këtu paditësit 1 dhe 2, duke shpërfaqur qëllimin e tij denigrues se gazeta online ‘Reporteri’ dhe intervistuesi i z. Escobar është media e nënshtruar apo media që i nënshtrohet në përulësi tjetrit, duke e dëmtuar kështu rëndë kredibilitetin e mediumit si paditësi 1 dhe paditësi 2”, thuhet në padi.

Sipas kësaj padie, Ramabaja përsëri më 9 shkurt 2022, në debatin televiziv “Pressing”, në televizionin “T7”, kishte theksuar se: “Ka elemente të mazohizmit politik në mediat tona dhe është mirë që sidomos redaktorët dhe kryeredaktorët këtë vërejtje ta marrin shumë seriozisht, sepse ngjashëm qysh është shoqëria jonë në llupë të vrojtimit dyfish më shumë janë mediat dhe analizat sidomos të institucioneve të specializuara flasin se një pjesë e mirë e mediave në Ballkan, nuk përjashtohemi as ne si shoqëri, janë të blera nga Sputniku rus, edhe ka portale në Kosovë dhe Tiranë madje edhe televizione”.

Sipas paditësve, i padituri Ramabaja, ka dhënë deklarata të pavërteta me qëllim të dëmtimit të imazhit të paditësve 1 dhe 2, lidhur me intervistën e bërë nga gazeta online
“Reporteri” dhe intervistuesi-kryeredaktori Mentor Gjergjaj, me 27 janar 2022, me Zëvendës-ndihmësin e Sekretarit të Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësuesin e Posaçëm për Ballkanin Perëndimor të SHBA-së, Gabriel Esocbar.

Lidhur me këtë sipas padisë, i padituri Ramabaja kishte deklaruar “Pyetjet që i parashtron (e ka fjalën për paditësin 1 dhe 2) sidomos në raport me qeverinë dhe kryeministrin, të jeni të bindur, unë kam punuar disa vjet kryeredaktor, as gazetarët e Sputnikut nuk do t’i bënin pyetje të tilla provokative”.

Paditësit pretendojnë se Ramabaja përsëri kishte vazhduar me deklarata shpifëse dhe denigruese për paditësit duke theksuar se “Shikojeni në boks për shembull, është bë madje edhe manipulimi i përgjigjeve të ambasadorit”.

Këto deklarime të të paditurit, sipas padisë, janë të pabazuara dhe të pa argumentuara, dhe se i njëjti kishte vepruar në kundërshtim me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes dhe se deklarata e tij ka tendencë shpifjen dhe fyerjen.

“Në këtë mënyrë i padituri me vetëdije të plotë dhe vullnet ka deklaruar publikisht në televizionin “T7” në emisionin “Pressing” dhe llogarinë e tij në “Facebook”, në një portal online dhe ne faqen online të “Institutit Shqiptar për Gjeopolitikë”, për të cilin në disa deklarime në T7 disa herë ka pohuar se është i tij, duke publikuar deklarata të pavërteta shpifëse, të cilat e kanë dëmtuar rëndë reputacionin dhe integritetin publik dhe personal të paditësve, duke aluduar se Gazeta Online “Reporteri” është e blerë nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve Ruse e quajtur “Sputnik”, duke e ditur mirë se kjo agjenci përfaqëson zërin dhe politiken ruse e cila është në kundërshtim të plotë me orientimin politik të Republikës së Kosovës si kundërshtare e pavarësisë së Kosovës, dhe përmbajtjes dhe politikës editoriale që gazeta online “Reporteri” përfaqëson dhe proklamon, me qëllim që të njëjtën ta paraqes antikombëtare, pro ruse dhe e blerë nga shteti Rus”, thuhet në padi.

Po ashtu, sipas padisë, i padituri Ramabaja, në postimin e tij në “Facebook”, dhe më pas shpërndarjen e tij të shkrimit me autorësi të vetë në faqen online të Instituti Shqiptar për Gjeopolitikë”, kishte manipuluar lexuesit e tij duke i prezantuar përgjigjet e z. Escobar si koment i Reporterit, e jo si përgjigje të zyrtarit të lartë amerikan për Ballkanin Perëndimor.

“Gjithashtu, në një nga shpërndarjet e tij në Facebookun personal, plot shpifje e njollosje ndaj paditësve dhe intervistës me z. Escobar, i padituri vendos akronimet “PDK” krahas emrit të mediumit të paditësve. Kështu duke e njollosur publikisht punën e mediumit dhe gazetarëve, të dëshmuar për vite të tëra, brenda Kosovës dhe jashtë saj, për profesionalizmin dhe punën e tyre. E këto shpifje dhe manipulime të z. Ramabaja janë përcjellë me një varg komentesh sulmuese ndaj mediumit”, thuhet në padi.

Sipas padisë, Ramabaja përmes sulmeve të tij të vazhdueshme në paraqitjet e tij televizive në “T7” dhe në rrjetin social “Facebook”, është munduar ta denigrojë punën e “Reporterit” dhe gazetarëve të tij, me qëllim që të dëmtojë imazhin e një medie të pavarur, lidhur me një intervistë me të dërguarin special të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, i përfshirë edhe në dialogun Kosovë-Serbi.

“I padituri e godet paditësin 1 dhe 2, në dy sentimentet më të ndjeshme të qytetarëve të Kosovës, siç janë raportet e Kosovës me Serbinë dhe Amerikën. Ai mundohet që paditësit t’i paraqesë si të angazhuar për të cenuar interesat e vendit duke e shpifur narracionin fyes se “Reporteri” dhe paditësit po bëkan punë në shërbim të interesave serbe, dhe ruse, pasi thotë se ata janë të blerë nga Sputniku rus”, thuhet në padi.

Për këto pretendime, të paditurit, me anë të kësaj padie, kanë kërkuar që të detyrohet i padituri Ramabaja që paditësve t’ua kompensojë 85,000 euro, (65,000 euro për gazetën “Reporteri” dhe 20,000 të tjera për paditësin Mentor Gjergjaj), si dhe t’ua kompensojë edhe shpenzimet procedurale në afat prej 15 ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në dorëzim, e nën kërcënim të përmbarimit me dhunë. /BetimipërDrejtësi

You may also like