Gaza, vritet gazetari i Al Jazeeras: Washingtoni apel Izraelit për ulje të ofensivës!

by admin
Spread the love

Një raketë e lëshuar nga një dron i mori jetën një gazetari të rrjetit “Al Jazeera” në Gaza, ndërsa plagosi shefin e zyrës së televizionit të njohur të Katarit.

Samer Abudaqa qëndroi i plagosur për një fare kohe në dysheme, përpara se të jepte shpirt. Ai u godit nga raketa, por Al Jazeera raportoi se mjekët nuk ishin në gjendje të arrinin menjëherë në vendngjarje për shkak të bombardimeve izraelite. Përpjekjet për të organizuar kalimin e sigurt të gazetarit zgjatën më shumë se pesë orë.

Pas mbërritjes në vendin e ngjarjes, mjekët konfirmuan se ai tashmë kishte vdekur. “Ekipet mjekësore u penguan nga forcat izraelite që të arrinin menjëherë tek ai”, njoftoi Al Jazeera. Abudaqa ka punuar për rrjetin “Al Jazeera” që nga viti 2004. Ai ka lindur në vitin 1978 dhe ishte baba i tre djemve dhe një vajze.

Ushtria izraelite pohoi më herët se trupat e saj vranë gabimisht tre pengje izraelite gjatë sulmit të tyre tokësor në Rripin e Gazës. Zëdhënësi i ushtrisë Admirali Daniel Hagari tha se forcat izraelite i gjetën pengjet të premten, por i identifikuan ata gabimisht si kërcënim. Nuk është sqaruar ende nëse pengjet kishin mundur të arratiseshin prej militantëve të Hamasit, apo ishin braktisur prej tyre.

Shtetet e Bashkuara edhe një herë përcollën shqetësimin e tyre për ofensivën izraelite në Gaza, duke i kërkuar shtetit hebre të rishikojë strategjinë e sulmeve dhe t’i përqendrojë ato ndaj krerëve të Hamasit në enklavë, në vend që të vazhdojë bombardimet në shkallë të gjerë.

Këshilltari i sigurisë kombëtare, Jake Sullivan pohoi se “do të duhet të ketë një tranzicion në një fazë tjetër të kësaj lufte, që do të përqëndrohet në sulme më precize ndaj udhëheqjes (së Hamasit) dhe në operacionet e zbulimit”. Cështja shtoi ai, është se kur do të ndodhë kjo saktësisht, ndërsa pohoi se bisedime intensive po zhvillohen për këtë arsye mes Washingtonit dhe Tel Avivit.


Top Channel

You may also like