GAZA – Kryeministri i ri palestinez formon qeverinë

by admin
Spread the love

GAZA, 28 mars /ATSH-DPA/ – Kryeministri i sapoemëruar palestinez, Mohammed Mustafa i Autoritetit Palestinez (PA) ka formuar një qeveri teknokratësh, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve, WAFA.

Presidenti Mahmoud Abbas nxori një dekret duke shprehur besimin e tij për qeverinë me 22 poste ministrore, sipas raportit.

Masa vjen në mes të presionit nga SHBA si dhe nga disa vende arabe, që Autoriteti Palestinez të reformohet dhe të rigjallërohet pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor.

Uashingtoni dëshiron që Autoriteti Palestinez, i cili qeveris pjesë të Bregut Perëndimor të pushtuar nga Izraeli, të qeverisë Rripin e Gazës pas përfundimit të operacioneve ushtarake izraelite për të dëbuar Hamasin nga ajo zonë.

Autoriteti Palestinez e sheh Gazën si pjesë të një shteti të mundshëm të ardhshëm palestinez.

Uashingtoni, i cili po shtyn për një zgjidhje me dy shtete, beson se kontrolli i Autoritetit Palestinez mbi Gazën do të çonte përpara qëllimin e tij të shumëkërkuar.

Izraeli i kundërshton planet. Hamasi, një grup militant islamik, dëboi me forcë Autoritetin Palestinez nga brezi bregdetar në vitin 2007.

Sipas raportimeve të medias, ministrat e qeverisë së ardhshme teknokrate nuk i përkasin asnjë partie.

Tetë nga ministrat janë nga Rripi i Gazës.

Disa gra gjithashtu pritet të marrin sërish poste.

Kryeministri Mustafa do të jetë edhe ministër i Jashtëm./ /os/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like