GAZA – Izraeli konfirmon vrasjen e më shumë militantëve në ofensivën e spitalit të qytetit

by admin
Spread the love

GAZA/TEL AVIV, 21 mars /ATSH-DPA/ – Ofensiva e ushtrisë izraelite në spitalin ”Al-Shifa” të qytetit të Gazës ka çuar në vdekje të tjera, njoftoi sot ushtria izraelite.

“Gjatë ditës së kaluar, më shumë se 50 terroristë u eliminuan gjatë shkëmbimeve të zjarrit”, tha ushtria, duke shtuar se më shumë se 140 militantë ishin eliminuar në zonën e spitalit që nga fillimi i operacionit disa ditë më parë.

”Forcat izraelite kishin gjetur gjithashtu objekte për ruajtjen e armëve”, thanë ata.

Asnjë nga informacionet fillimisht nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur.

Trupat izraelite kishin hyrë në spitalin më të madh në Rripin e Gazës në orët e para të së hënës për të ndërmarrë veprime kundër Hamasit dhe infrastrukturës së tij.

Sipas ushtrisë, deri më tani në operacion janë vrarë dy ushtarë izraelitë.

Rreth 160 të dyshuar janë arrestuar.

Ndërkohë, sipas ushtrisë, luftimet po vazhdojnë diku tjetër në Rripin e Gazës.

Në qendër të brezit bregdetar, ushtria tha se gjatë ditës së kaluar janë vrarë rreth 20 persona, duke i cilësuar ata si terroristë.

Lufta në Gaza u shkaktua nga masakra e kryer nga terroristët e Hamasit dhe grupeve të tjera ekstremiste palestineze më 7 tetor në Izrael, pranë kufirit me Rripin e Gazës.

Izraeli është vënë nën kritika në rritje ndërkombëtare për shkak të numrit të madh të viktimave civile dhe kushteve katastrofike në Rripin e Gazës.

Në anën tjetër të Izraelit, në Bregun Perëndimor, disa njerëz u vranë në operacionet e ushtrisë izraelite gjatë natës, sipas raporteve palestineze./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like