Fshati që shpëtoi kryeqytetin ukrainas, fillon të rindërtohet

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Fshati Moshchun në Ukrainë, ishte në qendër të luftimeve kur Rusia nisi sulmin e saj në muajin shkurt.

Pikërisht aty, vetëm 30 kilometra larg Kievit, forcat ukrainase frenuan përparimin e ushtrisë ruse drejt kryeqytetit. Por 85% e fshatit u shkatërrua. Tani komuniteti dëshiron të rindërtohet.

Trupat ukrainase ndaluan rusët në këtë fshat, duke shmangur një sulm të përgjakshëm në kryeqytetin, Kiev.

Për rreth një javë, fshati Moshchun ishte nën kontrollin e forcave ruse. Para se të largoheshin, forcat ruse dogjën fshatin.

Të evakuuar pak para mbërritjes së rusëve, shumica e banorëve mbijetuan. Kur u kthyen çdo gjë që ata kishin pasur ishte kthyer në hi. Tani, aktivistët vendas dhe biznesmenët kanë krijuar një projekt bamirësie për të rindërtuar fshatin.

Familja e Anna Kolosovskas, si qindra të tjerë, humbi gjithçka.

Mbesa e saj 3-vjeçare, Ira, kujton goditjen me raketa. Duke luajtur mbi rrënojat e shtëpisë, ajo përsërit fjalët e nënës së saj.

“Unë nuk kam frikë”, thotë ajo.

Fqinja e tyre, Liubov Topol, humbi jo vetëm shtëpinë, por edhe djalin e saj të vetëm, një nga drejtuesit e Forcave të Mbrojtjes Territoriale rezerviste në Moshchun.

“Unë s’jam më vetvetja. Djali më rri para syve”, thotë ajo.

Zonja Liubov është e para që merr një shtëpi të përkohshme në kuadër të nismës bamirëse “Ëndrra e Ukrainës”. Kjo do të jetë shtëpia e saj për dy vitet e ardhshme.

Zoti Vitaly Kashchenko, një nga themeluesit e nismës, thotë se hapi i parë është që deri në mes të shtatorit t’u sigurojë shtëpi të përkohshme të gjithë qytetarëve të Moshchunit që humbën shtëpitë e tyre. Deri në fund të vitit të ardhshëm, ai planifikon të rindërtojë fshatin në tërësi.

“Në fazën e parë, ne duhet t’u ofrojmë njerëzve një vend për dimër. Më pas, ne duhet t’u japim atyre një vend për një jetë dinjitoze dhe të ndërtojmë një fshat të ri. Qëllimi ynë është të rindërtojmë Moshchunin dhe më pas tërë Ukrainën”, thotë zoti Kashchenko.

Klubi Rotarian “Kievi Ndërkombëtar” qëndron pas përpjekjes së rindërtimit dhe po inkurajon komunitetin ndërkombëtar që t’i bashkohet nismës.

“Nga e gjithë bota mblodhëm mbi 15 milionë dollarë për të ndihmuar Ukrainën. Shpresojmë që pasi të rindërtohet, do të quhet fshati Rotarian”, thotë zoti Serhiy Zavadski nga Klubi Rotarian.

Banorët e Moshchunit po tregojnë qëndrueshmëri. Ushtria ruse shkatërroi shtëpitë e tyre, por nuk mundi të shkatërronte guximin, unitetin apo dashurinë për fshatin e tyre./ Zëri i Amerikës


Top Channel

You may also like