FRANCË – Macron anashkalon parlamentin për të shtyrë buxhetin

by admin
Spread the love

NJU JORK, 19 tetor /ATSH/-Presidenti Emmanuel Macron iu drejtua një dekreti të shpejtë për të shtyrë buxhetin e Francës për vitin 2023, duke anashkaluar në mënyrë efektive Dhomën e Ulët të parlamentit dhe duke nënvizuar sfidat me të cilat përballet qeveria e tij e pakicës në kërkimi të një mbështetjeje më të gjerë për legjislacionin kryesor, sipas Bloomberg.

“Ne duhet të sigurojmë një buxhet për vendin tonë,” tha kryeministrja Elisabeth Borne ndërsa njoftoi masën në Dhomën e Ulët.

Projektligji i buxhetit u diskutua në Asamblenë Kombëtare të Francës për disa ditë, gjatë të cilave u bë e qartë se nuk do të siguronte vota të mjaftueshme për t’u miratuar. Kjo e shtyu qeverinë të përdorte dispozitën kushtetuese të njohur si “neni 49.3” që lejon degën ekzekutive të miratojë ligjet pa votim.

Grupimi centrist i Macron ka gati 40 vende mangët pasi humbi një shumicë të plotë në qershor, që do të thotë se duhet të gjejë mbështetje diku tjetër. Shumica e vëzhguesve i shohin republikanët konservatorë, me 62 ligjvënës, si kandidatët më të mundshëm, pasi dallimet në politikë janë më të theksuara me partinë e ekstremit të djathtë “Rally National” dhe aleancën e krahut të majtë “Nupes”.

Borne tha se projektligji i buxhetit ruan rreth 100 amendamente të paraqitura nga opozita dhe këmbënguli që diskutimet për projektligjin të vazhdonin në Senat. Por vendimi shkaktoi zemërim te ligjvënësit e opozitës.

“Ata na trajtuan si rrogoza”, tha Andre Chassaigne, një ligjvënës i “Nupes”.

“Nupes” përdori menjëherë të drejtën, të dhënë nga kushtetuta kur një qeveri nxit nenin 49.3, për të kërkuar një votë mosbesimi. Tubimi Kombëtar tha se do të paraqesë nesër mocionin e tij për një votë mosbesimi.

Nëse qeveria i mbijeton votave, projektligji i buxhetit shkon për shqyrtim në Senatin francez.

Përdorimi i nenit “49.3” vjen në një moment të ndjeshëm për Macron pasi punëtorët protestuan të martën kundër rritjes së kostos së jetesës.

Hera e fundit që dispozita 49.3 u përdor nga qeveria e Macron, ishte në fillim të vitit 2020, për të miratuar reformën e tij jopopullore të pensioneve, pas disa muajsh grevash dhe demonstratash. Reforma më vonë u pezullua gjatë pandemisë së Covid-19. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like