FOKUS – Turqi-Iran: Lufta Izrael-Hamas mund të shkojë në konflikt rajonal

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 1 nëntor /ATSH-DPA/ – Diplomatët e lartë turq dhe iranianë paralajmëruan se lufta e vazhdueshme midis Izraelit dhe Hamasit, i cili sundon Rripin e Gazës, mund të çojë në një konflikt të madh rajonal.

“Ne nuk duam që kjo të kthehet në një luftë që do të prekë vendet në rajon”, tha ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan në një konferencë të përbashkët për shtyp me homologun e tij iranian Husein Amirabdollahian, në Ankara.

“Të gjithë aktorët përkatës duhet të marrin përgjegjësinë për të punuar drejt një armëpushimi dhe paqeje të qëndrueshme”, tha Fidan.

Amirabdollahian tha se konflikti mund të tërheqë drejtpërdrejt lojtarë të tjerë.

“Nëse lufta vazhdon, situata nuk do të mbetet e njëjtë”, tha Amirabdollahian.

“Rezistenca do të vendosë për një tjetër aksion të papritur dhe situata do të jetë ndryshe”, shtoi ai.

Para vizitës së tij në Turqi, Amirabdollahian u takua me shefin e Hamasit Ismail Haniyeh në kryeqytetin e Katarit, në Doha.

Katari ka qenë një nga mbështetësit kryesorë të Hamasit për rreth 15 vjet.

Qeveria turke mban kontakte me Hamasin dhe ka negociuar lirimin e pengjeve që mbahen në Gaza.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan e quajti kohët e fundit Hamasin, i cili është klasifikuar si një organizatë terroriste në Izrael, BE dhe SHBA, një “organizatë çlirimtare”.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like