FOKUS – Tajvani i kërkon Kinës respektimin e rezultatit të zgjedhjeve presidenciale

by admin
Spread the love

TAJPEI, 14 janar /ATSH-AFP/ – Tajvani i kërkoi sot Kinës të respektonte rezultatet e zgjedhjeve presidenciale, të fituara dje nga Lai Ching-te, i cili pohoi se ishulli ishte ”de facto” i pavarur dhe premtoi ta mbrojë atë kundër kërcënimeve të ribashkimit.

”Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje autoriteteve të Pekinit të respektojnë rezultatet e zgjedhjeve, të përballen me realitetin dhe të heqin dorë nga shtypja e Tajvanit”, thuhet në një deklaratë nga ministria tajvaneze.

Duke pretenduar se ka marrë urime nga “më shumë se 50 vende, përfshirë 12 aleatë diplomatikë”, ministria denoncoi “komentet absurde dhe të gabuara” nga autoritetet kineze.

Më herët sot, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze tha se ”Tajvani është pjesë e Kinës dhe kjo nuk do të ndryshojë”.

Që nga mbrëmja e së shtunës, vendi komunist, i cili e konsideron Tajvanin si një nga provincat e tij që do të ribashkohet edhe me forcë nëse është e nevojshme, pohoi se ky votim “nuk do të pengojë prirjen e pashmangshme të ribashkimit me Kinën”.

“Ne (…) do të kundërshtojmë me vendosmëri aktivitetet separatiste që synojnë pavarësinë e Tajvanit si dhe ndërhyrjen e huaj”, paralajmëroi Chen Binhua, zëdhënës i zyrës kineze përgjegjëse për marrëdhëniet me Tajvanin.

Në fund të një fushate të shënuar nga presioni i fortë diplomatik dhe ushtarak nga Kina, zëvendëspresidenti në largim Lai Ching-te, 64 vjeç, fitoi zgjedhjet presidenciale.

Ai do të marrë detyrën më 20 maj, së bashku me nënpresidentin, Hsiao Bi-khim, ish-përfaqësues i Tajpeit në Uashington./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like