FOKUS – SHBA i shet Turqisë avionë F-16, pas pranimit të Suedisë në NATO

by admin
Spread the love

UASHIGNTON, 27 janar /ATSH-DPA/ –  Qeveria amerikane ka finalizuar shitjen e avionëve luftarakë F-16 Ankarasë, pas miratimit përfundimtar që Turqia dha për pranimin e Suedisë në NATO.

Kongresi në Uashington është informuar për marrëveshjen e planifikuar të armëve.

Ai nuk duhet të autorizojë marrëveshjen, por ka fuqinë ta bllokojë atë në rast dyshimi.

Megjithatë, kjo konsiderohet e pamundur tani që Turqia ka dhënë miratimin përfundimtar për anëtarësimin e Suedisë në NATO.

Pas një viti e gjysmë tërheqjeje politike, shumica e parlamentarëve në Ankara votuan në favor të pranimit të Suedisë në NATO të martën në mbrëmje.

Vendimi u finalizua mbrëmjen e së enjtes me publikimin e të ashtuquajturave protokolle të anëtarësimit në Gazetën Zyrtare turke.

Hungaria, anëtare e NATO-s, duhet ende të miratojë zyrtarisht pranimin e Suedisë.

Presidenti turk Recep Tajip Erdogan e kishte lidhur miratimin e vendit të tij me dërgesat e avionëve luftarakë nga SHBA, ndër të tjera.

Megjithatë, deri më tani ka pasur rezerva në Kongresin Amerikan.

Një numër anëtarësh të Kongresit e kishin bërë të qartë në mënyrë të përsëritur se donin ta pengonin marrëveshjen për sa kohë që Turqia po bllokonte pranimin e Suedisë në NATO.

Tani asgjë nuk duhet të pengojë shitjen.

Qeveria e SHBA-së kishte theksuar prej kohësh gatishmërinë e saj për të mbështetur modernizimin e forcave ajrore të Turqisë nga Erdogan – dhe në të njëjtën kohë e bëri të qartë se kjo nuk ishte një ”quid pro quo” (latinisht – favor apo avantazh i dhënë në këmbim të diçkaje – shën. i përkth.) për miratimin e vendit për zgjerimin verior të NATO-s.

Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ishte takuar me homologun e tij turk Hakan Fidan dhe më pas me Erdoganin në Stamboll në fillim të janarit.

Avioni luftarak F-16 është një nga avionët ushtarakë më të fuqishëm në botë dhe është i vendosur në më shumë se dy duzina vende.

Avioni, i prodhuar nga kompania amerikane ”Lockheed Martin”, mund të përdoret si në mbrojtjen ajrore ashtu edhe kundër objektivave në tokë, pra për të zmbrapsur formacionet e armikut.

F-16 është gjithashtu i aftë të fluturojë në lartësi jashtëzakonisht të ulëta dhe në të gjitha kushtet e motit.

Administrata amerikane e presidentit amerikan Joe Biden informoi Kongresin se shitja përfshinte 40 avionë të rinj luftarakë F-16 si dhe paketa modernizimi për 79 avionë F-16 tashmë në posedim të Turqisë.

Paketa ka një vlerë totale rreth 23 miliardë dollarë./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like