FOKUS – Më shumë se 100 të vrarë në turmat pranë autokolonës së ndihmës në Gaza

by admin
Spread the love

TIRANE, 1 mars /ATSH/ – Të paktën 112 palestinezë thuhet se janë vrarë dhe 760 janë plagosur në përpjekje për të marrë ndihmën e nevojshme në Gaza, sipas BBC.

Turmat zbritën në një kolonë kamionësh në rrugën bregdetare në jug-perëndim të qytetit të Gazës, në prani të tankeve izraelite.

Ushtria izraelite tha se tanket qëlluan në shenjë paralajmëruese, por nuk goditën kamionët, duke shtuar se të vdekurit u shkelën ose u rrëzuan.

Hamasi hodhi poshtë deklaratën e Izraelit, duke thënë se kishte prova “të pamohueshme” se ushtria izraelite kishte qëlluar drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së caktoi një takim urgjent me dyer të mbyllura për të diskutuar incidentin, gjatë të cilit Algjeria paraqiti një projekt-deklaratë duke fajësuar forcat izraelite për “hapjen e zjarrit”.

Ndërsa 14 nga 15 anëtarët e këshillit e mbështetën mocionin, SHBA-ja e bllokoi atë, sipas agjencisë së lajmeve AP, duke cituar ambasadorin palestinez të OKB-së Riyad Mansour.

I dërguari i SHBA-së Robert Wood tha se faktet e incidentit mbeten ende të paqarta.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres dënoi incidentin, duke thënë se civilët e dëshpëruar në Gaza kanë nevojë për ndihmë urgjente, duke përfshirë ata në veri, ku OKB nuk ka qenë në gjendje të japë ndihma për më shumë se një javë.

Më herët, presidenti i SHBA-së, Joe Biden shprehu shqetësimin se incidenti do të ndërlikonte përpjekjet e ndërmjetësve për të ndërmjetësuar një armëpushim të përkohshëm në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Hamasi ka paralajmëruar se bisedimet në Katar për të siguruar një armëpushim të ri krahas lirimit të pengjeve izraelitë që po mban tani mund të rrezikohen.

Incidenti ndodhi disa orë përpara se Ministria e Shëndetësisë e Gazës të njoftonte se më shumë se 30 000 njerëz, duke përfshirë 21 000 fëmijë dhe gra, ishin vrarë në Gaza që nga fillimi i konfliktit aktual më 7 tetor.

“Rreth 7 000 ishin të zhdukur dhe 70 450 te tjere ishin plagosur”, tha ai.

Ushtria izraelite nisi një fushatë në shkallë të gjerë ajrore dhe tokësore për të shkatërruar Hamasin, e cila është e ndaluar si një organizatë terroriste nga Izraeli, Britania e Madhe dhe të tjerët pasi personat e armatosur vranë rreth 1200 njerëz në Izraelin jugor dhe morën 253 pengje. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like