FOKUS – Lufta në Ukrainë shton eksportet gjermane të armëve në tetë miliardë euro

by admin
Spread the love

BERLIN, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria gjermane ka miratuar eksportet e armëve me vlerë të paktën 8,35 miliardë euro (8,9 miliardë dollarë) këtë vit, shifra e dytë më e lartë vjetore në historinë e vendit.

Më shumë se një e katërta e armëve dhe pajisjeve ushtarake të dorëzuara nga 1 janari deri më 22 dhjetor shkuan për të ndihmuar Ukrainën të zmbrapsë pushtimin rus.

Të dhënat vijnë nga Ministria e Ekonomisë me kërkesë të Sevim Dagdelen, një ligjvënës nga partia e ekstremit të majtë ”Die Linke”.

Koalicioni qeverisës trepalësh që mori pushtetin në vitin 2021 kishte premtuar të shkurtonte eksportet e armëve. Por lufta në Ukrainë e ndryshoi angazhimin, pasi aleatët perëndimorë të Kievit dërguan mbështetje ushtarake pas sulmit të Rusisë në shkurt.

Në një shkëputje me parimet dekada të vjetra, kancelari i qendrës së majtë Olaf Scholz ka shpallur fundin e ndalimit të dërgimit të armëve në zonat e luftës.

Që atëherë, dërgesat në Ukrainë me vlerë 2,24 miliardë euro janë miratuar, duke përfshirë tanke kundërajrore, obus vetëlëvizës, raketahedhës të shumëfishtë dhe sistemin e mbrojtjes ajrore IRIS-T.

Por, edhe pa Ukrainën, eksportet me vlerë më shumë se gjashtë miliardë euro kanë marrë miratimin e qeverisë.

Për krahasim, në 16 vitet e qeverisë së qendrës së djathtë të Angela Merkelit, shifra prej 6 miliardë eurosh u tejkalua vetëm pesë herë./ /os/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like