FOKUS – ”Kurrë më!” premton Scholz në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit

by admin
Spread the love

BERLIN, 27 janar /ATSH-DPA/ – ”Kurrë më!”, këmbënguli sot kancelari gjerman, Olaf Scholz, në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit duke përgëzuar bashkëqytetarët e tij për mobilizimin e tyre kundër të djathtës ekstreme.

”Përgjegjësia jonë për këtë krim kundër njerëzimit të kryer nga gjermanët mbetet”, tha Olaf Scholz, në një podcast të transmetuar sot.

Ai gëzohet kur sheh vendin e tij në këmbë, pasi miliona qytetarë po marshojnë në rrugë.

Për dy javë, gjermanët janë mbledhur në të gjithë vendin kundër tendencave radikale të partisë së ekstremit të djathtë ”Alternativa për Gjermaninë” (AfD).

Këtë fundjavë janë planifikuar më shumë se 300 demonstrata, sipas aleancës qytetare ”Campact”, e cila është ndër organizatorët e lëvizjes.

“Ka tre herë më shumë demonstrata se javën e kaluar, veçanërisht në Gjermaninë Lindore”, shkroi ”Campact” në një deklaratë për shtyp të lëshuar sot në mëngjes.

Në këtë qark që korrespondon me ish-RDGJ-në, AfD-ja mori rezultatet më të mira zgjedhore.

Dy javë më parë, socialdemokrati Olaf Scholz doli në rrugë në Potsdam, një qytet fqinj me Berlinin ku jeton.

Sot, ministri i tij i Mbrojtjes, Boris Pistorius, planifikon të demonstrojë në Osnabruck,  ku ai u lind.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, e cila korrespondon me datën e çlirimit të kampit të vdekjes Auschwitz-Birkenau nga sovjetikët më 27 janar 1945, është një rast vjetor për përkujtime./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like