FOKUS – Gjermania dislokon 4 000 trupa në Lituani për të rritur sigurinë

by admin
Spread the love

VILNIUS, 26 qershor /ATSH-DPA/ – Gjermania ka planifikuar të stacionojë 4 000 ushtarë shtesë në Lituani, aleaten e NATO-s, për të rritur sigurinë e krahut lindor të aleancës, njoftoi sot ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius.

“Gjermania është gati të vendosë përgjithmonë një brigadë të fuqishme në Lituani”, tha Pistorius gjatë një vizite në kryeqytetin lituanez, Vilnius.

“Lituania do të duhet të ndërtojë depo armësh, zona trajnimi dhe strehim për trupat dhe familjet e tyre”, tha ministri gjerman i Mbrojtjes.

Lituania i ka bërë vazhdimisht thirrje Gjermanisë që të vendosë trupa luftarake në vendin që kufizohet me enklavën ruse të Kaliningradit.

Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda tha sot se infrastruktura për të akomoduar trupat gjermane do të jetë gati deri në vitin 2026.

“Kjo është vija e parë e NATO-s ku nuk ka vend as për hendekun më të vogël të sigurisë”, tha Nauseda pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Stoltenberg tha se vendimi për të vendosur trupa shtesë luftarake në Lituani, tregon një përkushtim të fortë të Gjermanisë për mbrojtjen kolektive të NATO-s, dhe sigurinë e përbashkët dhe gjithashtu pasqyron ndryshimin e vazhdueshëm brenda aleancës që nga viti 2014, me më shumë dislokime të trupave të NATO-s, të gatshme për luftim në pjesët lindore të aleancës.

Stoltenberg tha se angazhimi i Gjermanisë dhe manovrat ushtarake të NATO-s në Lituani demonstrojnë gatishmërinë dhe aftësinë e aleancës për të mbrojtur çdo centimetër të territorit të NATO-s. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like