FOKUS – Biden jo i pranishëm në COP28

by admin
Spread the love

ABU DABI, 27 nëntor /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan Joe Biden nuk do të marrë pjesë në COP28 në Dubai, njoftoi një zyrtar amerikan.

Konferenca e OKB-së për klimën, e cila mbahet nga e enjtja deri më 12 dhjetor në Emiratet e Bashkuara Arabe, pritet të sjellë së bashku një rekord prej më shumë se 70 000 pjesëmarrësish, sipas presidencës së EBA-s, përfshirë papa Françeskun.

As axhenda e Biden dhe as ajo e zëvendëspresidentes Kamala Harris, të dyja të publikuara nga Shtëpia e Bardhë, nuk përmendin një udhëtim në Dubai këtë javë.

Programi i Joe Biden përfshin një vizitë në Kolorado për të promovuar investimet amerikane në energjinë e erës, një takim me presidentin e Angolës si dhe ndezjen e pemës kombëtare të Krishtlindjes.

Një zyrtar amerikan konfirmoi se presidenti amerikan nuk planifikon të marrë pjesë në COP28 këtë javë ose gjatë një sesioni të dytë drejt fundit të negociatave.

Sipas të njëjtit burim, i cili kërkoi anonimitetin, Uashingtoni ende po shqyrton mundësinë e dërgimit të një zyrtari të lartë në Dubai.

John Kerry, i dërguari amerikan për klimën, gjithashtu ish-sekretar i Shtetit dhe ish-senator, do të udhëheqë negociatat për SHBA.

Zyrtari nuk ka komunikuar arsyen e vendimit të Joe Biden, vëmendja e të cilit është përqendruar që nga muaji i kaluar në luftën midis Izraelit dhe Hamasit.

Presidenti amerikan po kërkon gjithashtu të nxjerrë në pah projektet e tij brenda vendit, më pak se një vit para zgjedhjeve presidenciale.

Nuk ishte zakon që një president amerikan të merrte pjesë në çdo konferencë të OKB-së për klimën përpara se Joe Biden të mbërrinte në Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti demokrat shkoi në COP26 në Glasgow në 2021 për të njoftuar rikthimin e SHBA në luftën kundër ngrohjes globale pas tërheqjes nga marrëveshja e Parisit e vendosur nga paraardhësi i tij Donald Trump, si dhe në COP27 të organizuar vitin e kaluar në Sharm el-Sheikh./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like