KAJRO, 16 nëntor /ATSH-DPA/ – Afrika e Jugut i ka bërë thirrje Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) në Hagë që të hetojë krimet e dyshuara të luftës të kryera nga Izraeli në Rripin e Gazës.
Presidenti i Afrikës së Jugut, Cyril Ramaphosa tha gjatë një vizite dje në mbrëmje në Katar se Afrika e Jugut së bashku me shumë vende të tjera besojnë se në Gaza po kryhen krimet e luftës.
“Krimet po kryhen “në kohë reale”, tha ai, duke përmendur spitalin al-Shifa.
Afrika e Jugut u bëri thirrje disa vendeve të rrisin presionin ndaj Izraelit, i cili tha se ishte mësuar të mos ndjekë ose zbatojë vendimet e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
zraeli ka bombarduar objektivat në Rripin e Gazës për javë të tëra në përgjigje të sulmit terrorist të Hamasit më 7 tetor, në të cilin u vranë 1 200 persona.
“Mbi 11 000 banorë janë vrarë në Gaza”, sipas autoriteteve të drejtuara nga Hamasi, shumica civilë.
Izraeli tha se duhet të eliminojë Hamasin për të mbrojtur popullsinë e vet dhe akuzon militantët palestinezë se po përdorin popullsinë civile palestineze në Gaza si mburoja njerëzore.
Sipas një zyrtari ushtarak të paidentifikuar, trupat izraelite kishin gjetur qendrat e kontrollit të Hamasit në spitalin al-Shifa.
Informacioni nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur.
Kryeprokurori i GJNP-së, Karim Khan, tha se tashmë gjykata penale po heton krimet e mundshme në të dy palët palestineze dhe izraelite. //a.i/