Flet Ervin Salianji: PD bashkohet me votë, jo me procese të njëanshme, lëshimi i selisë është i pashpjegueshëm

by admin
Spread the love

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, nga Korça ku zhvilloi sot një takim me grupseksionet shprehu domosdoshmërinë për bashkimin e demokratëve.

Në një prononcim për mediat, Salianji theksoi se bashkimi arrihet vetëm me votë dhe jo procese të imponuara, duke iu referuar reformimit që po kryhet nga ana e “Rithemelimit” në degë.

Deputeti demokrat e quajti këtë si proces të njëanshëm dhe theksoi se bashkimi vjen vetëm përmes votës, duke i përfshirë të gjithë.

“Ne jemi në takime me grupseksionet. Ajo që vinte si thirrje nga të gjithë anëtarët e PD, në Korçë, është që ka të bëjë me bashkimin real të PD, i cili nuk vjen nga imponimi, nuk vjen nga bërja e proceseve fiktive, por del nga vota. Ajo që bashkon demokratët në këtë moment është bashkimi rreth votës dhe rreth një procesi që ka besueshmërinë e të gjitha palëve. Si deputet kam marrë mandatimin, më i votuari në këtë zonë. Do ju qëndroj besnik deri në fund. Nëse duan të bëjnë një garë të bukur me njëri tjetrin janë ë mirëpritur edhe ata qe mendojnë ndryshe.

Nëse do të duan të bëjnë një betejë, në betejë do na kenë dhe do më kenë. Nëse do të duan të bëjnë një garë, që të fitojë ai që ka më shumë vota ne jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Nëse duan të bëjnë një proces të njëanshëm, po ua them edhe këtë, nuk do ta realizojnë dot. Ka vetëm një rrugë për tu bashkuar PD, jo me procese të njëanshme dhe imponime, por me votën e demokratëve. Ky ishte mesazhi në këtë grupseksion”, tha Salianji.

Si të pashpjegueshme, e quajti ai lëshimin e selisë qendrore, duke përmendur mosmbledhjen e grupit parlamentar.

“Të pashpjegueshme janë edhe lëshimi i selisë dhe mosmbledhja e grupit të deputetëve, apo kryesisë për pjesën zyrtare. E rëndësishme është që demokratët janë po aq të shqetësuar për fatin e PD-së dhe qëndrojnë po njësoj bindjes së tyre”, u shpreh deputeti.

I pyetur për përplasjen mes Alibeajt dhe Berishës për çështjen e presidentit, Salianji tha se nuk është me asnjërën palë dhe se këtë e vendos grupi parlamentar, por deri më tani nuk ka asnjë qëndrim zyrtar.

Një mesazh, Salianji dha si duket edhe për Lulzim Bashën, i cili së fundmi është aluduar si kandidat i mundshëm për kreun e shtetit.

“Është një diskutim i parakohshëm. Nuk ka një diskutim për presidentin. Nuk di ndonjë qëndrim të zotit Alibeaj. Unë nuk jam as me njërin dhe as me tjetrin. Nuk diskutohet tani. Askush nuk ka tagër të diskutojë në emër të gripi, as kryetari i grupit. Çdo emër që është hedhur dhe që nuk përgënjeshtron vetë i shërben po ashtu për të theksuar perceptimin e keq që nuk duhet të ishte që gjithçka është shitur dhe është blerë”, u shpreh deputeti i PD.

You may also like