Fermerët dhe policia shkëmbejnë gaz lotsjellës e fishekzjarre teksa nis marshimi drejt Delhi në Indi (fotot)

by admin
Spread the love

Fermerë protestues lëshonin sot fishekzjarre ndaj policisë në Indi pasi u goditën me gaz lotsjellës.

Dhjetra mijëra fermerë protestues ishin mbledhur në Shambhu në krahinën Punxhab gjatë marshimit të tyre drejt kryeqytetit Delhi, pas dështimit të negocjatave me qeverinë për çmime më të mira për prodhimin e tyre dhe mbështetje për kostot e karburanteve.

Protesta aktuale tenton të imitojë bllokadën gati një vjeçare të autostradave dy vjet më parë kur protestat detyruan kryeministrin Narendra Modi të hiqte dorë nga reforma e kontestuar bujqësore në 2021.

Prej javës së shkuar policia indiane përpiqet të përmbajë fermerët me makineritë e tyre në një autokolonë disa kilometra të gjatë pranë fshatit të Shambhu, pranë kryeqytetit.

Protestuesit sot i rezistuan përpjekjeve për t’i shpërndarë me gaz lotsjellës dhe thonin se nuk do të ndalohen nga barrikadat e betonit dhe gjembave që janë ngritur nga autoritetet për t’i ndaluar.

“Ju sigurojmë se do t’i kalojmë këto barriera, nuk do të na ndalojnë dot të arrijmë në Delhi”, tha fermeri 45 vjeçar Jagmohan Singh, për rrjetin AFP.

Tanimë pas dy vjetësh fermerët po protestojnë sërisht për të kërkuar çmime minimale të produkteve të tyre, teksa qeveria e Narendra Modi kërkon një mandat të tretë në zgjedhjet e pranverës.