Fentanili kërcënon edhe Evropën – Shqip

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian duhet të përgatitet për një rritje të papritur të drogës sintetike fentanil, paralajmëroi Ylva Johansson, Komisionerja Evropiane për Çështjet e Brendshme.

Është një reagim ndaj paralajmërimit të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, se Evropa ose nuk ka zbuluar ende problemin me drogat sintetike, ose do ta zbulojë së shpejti.

Fentanili është një drogë sintetike që vlerësohet të jetë 50 herë më e fortë se heroina dhe është përgjegjëse për vdekjen e dhjetëra mijëra amerikanëve që vdesin nga mbidoza çdo vit.

Në një ngjarje anësore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara mbi kërcënimet për shëndetin nga drogat sintetike, presidenti i SHBA Joe Biden u bëri thirrje aleatëve që t’i marrin seriozisht kërcënimet e paraqitura nga fentanili, tha Johansson për Politico.

“Është një problem që e keni, thjesht nuk e dini ende, ose është një problem që do ta keni së shpejti”, i tha Blinken Johansson-it në një bisedë për drogat sintetike.

Shtetet e Bashkuara përpiqen të paralajmërojnë aleatët e tyre paraprakisht “në mënyrë që të tjerët të mos kenë të njëjtin problem që kanë dhe ata“, tha Johansson.

Ajo shtoi se fentanili dhe drogat e tjera sintetike aktualisht nuk paraqesin rrezikun kryesor për Bashkimin Evropian, duke pasur parasysh se kanabisi është droga më e famshme në kontinentin e vjetër dhe kokaina është ajo që konsumi i saj është në rritje më të madhe.

Krahasuar me SHBA-në, ku drogat sintetike kontrabandohen nga vende si Meksika, Evropa ka kapacitete laboratorike për prodhimin e drogave sintetike, të cilat shumë lehtë mund të shkaktojnë krizë, thekson Johansson.

“Kapacitetet për prodhimin e fentanilit në BE ekzistojnë, ne i kemi”, pohon ajo. “Kjo, natyrisht, do të thotë që prodhimi mund të fillojë sapo dikush të vendosë të fillojë dhe të vendosë se ka një kërkesë.”

Në vitin 2021, në BE u mbyllën 434 laboratorë për prodhimin e drogave sintetike, sipas raportit evropian për drogat nga ky vit.

Ekspertët nga Agjencia Evropiane e Drogës paralajmëruan në fillim të këtij viti se ndalimi i talebanëve për kultivimin e lulekuqes në Afganistan mund të zvogëlojë në mënyrë drastike importin e heroinës në Evropë, gjë që mund të çojë në një rritje të opiateve sintetike.

“Duhet të jemi të kujdesshëm dhe të përgatitur”, paralajmëron Johansson.

Unioni po punon tashmë për të forcuar mandatin e agjencisë së tij të drogës, e cila merret me aspektet e shëndetit, duke i dhënë asaj shumë më tepër fuqi dhe dyfishuar burimet, tha ajo.

Plani evropian për të luftuar trafikun e drogës, i cili u njoftua nga Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në fjalimin e saj për gjendjen e Unionit, do të miratohet në fund të këtij viti, konfirmoi Johansson. /tesheshi.com/

You may also like