Europiani U-19 për femra: Shqipëria mposhtet nga Rumania, fitore e thellë e Letonisë

by admin
Spread the love

Janë luajtur këtë të shtunë ndeshjet e dyta të Grupit B në Eliminatoret e Kampionatit Europian U-19 për femra, që po zhvillohen në Shqipëri. Kombëtarja shqiptare U-19 për femra u përball me Rumaninë në sfidën e luajtur në stadiumin “Elbasan Arena”, duke u mundur me rezultatin 2-0 nga skuadra më e fortë e grupit.

Rumunet e nisën menjëherë në sulm ndeshjen duke rrezikuar që në minutat e para dhe pas disa tentativave gjejnë golin e avantazhit me anë të kapitenes Borodi, e cila shfrytëzon një pasiguri të mbrojtjes dhe portieres Spaho, duke e dërguar topin në rrjetë. Kombëtarja shqiptare përpiqet të reagojë, por Rumania vazhdon të jetë superiore dhe në minutën e 18-të gjen golin e dytë me ane të Horvath, e cila realizon me një gjuajtje të saktë brenda zonës. Me kalimin e minutave Shqipëria U-19 e femrave merr iniciativën dhe në disa raste i afrohet portës së Rumanisë, por pa gjetur dot golin.

Fraksioni i parë i lojës mbyllet me avantazhin 2-0 të Rumanisë, ndërsa pjesa e dytë nis më mirë për vajzat kuqezi që luajnë më mirë dhe shfaqen në shumë raste para portës së rumuneve. Trajneri Krepi hedh në fushën e lojës Pucën dhe Habilin për t’i dhënë më shumë forca lojës sulmuese. Deri në fund rezultati nuk ndryshon dhe mbyllet me fitoren 2-0 të Rumanisë.

Në ndeshjen tjetër të grupit të luajtur në stadiumin “Egnatia” të Rrogozhinës, Letonia mundi rezultatin e thellë 13-0 Armeninë me gola të shënuar nga Ušpaleviča, Ansone (3), Vuškāne (2), Saule (2), Kozlova, Ščuka, Lipšāne dhe Paidere (2). Aktualisht, Rumania kryeson grupin me 6 pikë pas dy ndeshjesh, ndërsa Shqipëria dhe Letonia kanë nga 3 pikë secila dhe Armenia është e fundit me 0 pikë.

Të gjitha ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Shqipëri, në datat 5, 8 dhe 11 tetor. Sfida e tretë dhe e fundit e Shqipërisë U-19 për vajza do të jetë kundër Armenisë, më 11 tetor në stadiumin “Elbasan Arena”, në ora 14:30. Ndërkaq, ndeshjet e tjera të grupit po zhvillohen në stadiumin “Egnatia Arena” në Rrogozhinë.

You may also like