Engjëjt i marrin shpirtin “Cavalere”-t – Shqip

by admin
Spread the love

Silvio Berlusconi, një ndër personazhet më të njohura të jetës italiane në dekada, biznesmen, manjat mediash dhe president i Milanit, gjithashtu politikan, ish-kryeministër, dha shpirt mëngjesin e së hënës, në orën 9:30 (me orën italiane) në moshën 86-vjeçare. Shëndeti i tij u përkeqësua me shpejtësi në orët e fundit, duke bërë që prej të premtes të ishte shtruar në spitalin “San Raffaele” në Milano.

Sipas asaj që raportojnë gazetat Repubblica dhe Corriere, gjendja e ish-kryeministrit italian “ishte shumë e rëndë”, dhe për këtë qëllim në spitalin e Milanos mëngjesin e së hënës kanë mbërritur vëllai i tij, Paolo dhe fëmijët e tij, Marina, Eleonora, Barbara dhe Pierre.

Kreu i Forza Italia-s ishte shtruar disa herë në spital vitet e fundit.

Kush ishte Silvio Berlusconi?

Ish-kryeministri dhe biznesmeni italian Silvio Berlusconi lindi në Milano më 29 shtator 1936.

Pas përfundimit të studimeve për drejtësi, në fillim të viteve ’60, filloi të punojë në sektorin e ndërtimit. Nga viti 1969 deri në vitin 1976, me kompanitë e tij ai ndërtoi një sërë kompleksesh ndërtimesh dhe në thelb krijoi zonat “Milano 2” dhe “Milano 3”, pranë kryeqytetit italian.

Jeta politike e Silvio Berlusconit

 Në nëntor 1980 ai themeloi televizionin e parë të madh privat italian (Canale 5), i cili filloi menjëherë të konkurronte me transmetuesin publik RAI. Në vitin 1982 kanali Italia Uno u shtua në grupin e tij televiziv dhe në 1984 Rete 4.

Në të njëjtën kohë, në vitin 1991 ai arriti të kontrollonte pjesën më të madhe të paketës së aksioneve të shtëpisë botuese Arnoldo Mondadori, ndërsa aktivitetet e tij të biznesit përfshinin dyqanet e magazinave Standa dhe siguracionet Mediolanum.

Berlusconi praktikisht u shndërrua në simbolin e fundit të biznesmenit të suksesshëm, me ndërmarrjen e vazhdueshme të nismave të reja. Sipas shumë komentuesve, krijimi i perandorisë së tij televizive italiane u mundësua nga miqësia e tij e ngushtë me ish-kryeministrin socialist Bettino Craxi, por askush nuk e vuri në dyshim aftësitë e tij organizative dhe dinamizmin mbresëlënës.

Nga viti 1986 dhe për tridhjetë vitet pasuese ai ishte gjithashtu pronar i ekipit të futbollit Milan, i cili fitoi shumë trofe dhe u bë një nga më të fortët në nivel evropian.

Në janar 1994 ai bëri kthesën e madhe: nga sektori i biznesit, Berlusconi u zgjerua në fushën e politikës, me themelimin e partisë Forza Italia.

Ai e arsyeton vendimin e tij duke thënë se “ekziston një rrezik i dukshëm që të majtët dhe komunistët të marrin pushtetin”. Megjithatë, shumë analistë besonin se realiteti më i gjerë italian luajti një rol të rëndësishëm, me hetimin gjyqësor “Duart e Pastra”, i cili, në këtë periudhë të veçantë, kishte si objekt kryesor marrëdhëniet midis biznesit dhe sistemit politik të vendit, me zbulimin e një rrjeti shumë të gjerë korrupsioni.

Silvio Berlusconi, i njohur edhe si “Cavaliere” (nga titulli nderi i kalorësit të Republikës Italiane) u betua katër herë si kryeministër. Gjatë karrierës së tij politike, kundërshtari i tij kryesor ishte ish-kryeministri i qendrës së majtë dhe ish-presidenti i Komisionit Evropian, Romano Prodi.

Sa i përket aventurave të tij gjyqësore, ish-kryeministri italian u dënua përfundimisht në gusht 2013 me katër vjet burg (tre prej të cilave u “fshinë”, falë një amnistie) për mashtrim tatimor në kuadër të blerjes dhe shitjes së të drejtave televizive. Parlamenti i Romës, në nëntor të po atij viti, votoi largimin e tij nga detyra e senatorit.

Berlusconi kishte pesë fëmijë dhe u martua dy herë: në 1965 me Carla Elvira Dal’Olio dhe në 1990 me Veronica Lario. Pasuria e tij personale, sipas revistës amerikane Forbes, i ka kaluar 6 miliardë euro.

Kështu, Berlusconi mbylli sot ciklin e jetës, duke kaluar në tjetër botë, si çdo shpirt njerëzor. /tesheshi.com/

 

 

You may also like