Emigracioni rrit me mbi 1 milion popullsinë e Kanadasë

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Popullsia e Kanadasë u rrit me mbi 1 milion vitin e shkuar. Sipas të dhënave zyrtare, popullsia është rritur nga 38,516,138 në 39,566,248 banorë. Kjo shënoi po ashtu përqindjen më të madhe vjetore të rritjes së popullsisë së Kanadasë, me 2.7 %, që prej vitit 1957.

Rritja u nxit pjesërisht edhe nga përpjekjet e qeverisë për të rekrutuar emigrantë në përpjekje për të lehtësuar mungesat e fuqisë punëtore. Vendi varet tek emigracioni edhe për të ndihmuar në plakjen e popullsisë.

Sipas Statistics Canada, rritja e numrit të emigrantëve të përhershëm dhe të përkohshëm mund të sjellë sfida të reja për disa rajone të vendit që lidhen me shtëpitë, infrastrukturën, transportin dhe shërbimet e shpërndarjes në popullatë.

Sipas asaj që shkruan BBC duke cituar burime zyrtare të qeverisë kanadeze, emigracioni ndërkombëtar përbën gati 96 % të rritjes së popullsisë.

Kryeministri kanadez Justin Trudeau ka bërë disa përpjekje të vazhdueshme për të tërhequr emigrantët drejt vendit të tij qëkur erdhi në pushtet në vitin 2015. Vitin e shkuar, qeveria njoftoi planin për të mirëpritur gjysmë milioni emigrantë në vit deri në 2025-n.

Qeveria kanadeze ka pranuar po ashtu njerëz të prekur nga konflikti, si lufta në Ukrainë, kriza humanitare në Afganistan dhe tërmetet në Turqi e Siri.

Rritja më e madhe e popullsisë së Kanadasë në të shkuarën ishte në 1957 dhe erdhi si pasojë e bumit të lindjeve pas Luftës së Dytë Botërore dhe lëvizjes së refugjatëve për shkak të Revolucionit Hungarez.

Vendi mirëpriti 437,000 emigrantë në 2022-n, ndërsa numri i rezidentëve jo të përhershëm u rrit me 607,782, duke shënuar kështu një vit rekord për procesimin e aplikimeve të emigrantëve, sipas të dhënave zyrtare të qeverisë kanadeze.

Nëse Kanadaja do të mbajë rritjen me 2.7 % çdo vit, popullsia e saj do të dyfishohej brenda 26 viteve.

You may also like